Vuçiq takohet të enjten me Listën Serbe dhe mbledh Këshillin e Sigurisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka caktuar për 27 tetor takimin me përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Siç ka njoftuar kabineti i Vuçiçit, takimi do të mbahet në orën 09:00. Pas takimit me serbët e Kosovës, në ora 10:00 pritet të mbahet edhe një takim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, organ që mbledh përfaqësues të sektorit ushtarak dhe të sigurisë.

Ky takim u thirr pasi që Lista Serbe kërkoi që të takohej me Vuçiçin për shkak të çështjes së riregjistrimit të targave në Kosovë. Autoritetet në Prishtinë kanë thënë se deri më 31 tetor, të gjithë qytetarët që kanë targa të lëshuara nga Serbia, duhet t’i konvertojnë në RKS – Republika e Kosovës.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Sipas kësaj partie, më 1 nëntor Kosova po planifikon “të konfiskojë pronat e qytetarëve tanë dhe makinat me targa serbe”.

Më 31 tetor pritet të skadojë afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, që Kosova i konsideron ilegale.

Besohet se afër 10.000 makina me targa me akronime serbe të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ, PR – qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka thënë se makinat me targa të tilla nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e shtetit.

“Deklaratat e fundit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit, qartazi janë tregues se nuk ka vullnet në Prishtinë për të gjetur zgjidhje dhe kompromis, por vetëm dëshirë për të shkaktuar kriza dhe tensione, veçanërisht në veri të Kosovës dhe Metohisë. Populli serb në Kosovë i beson shtetit të tyre, Serbisë, dhe presidentit Aleksandar Vuçiç, dhe kërkojmë që të takohemi për t’u përballur me sfidat që na presin”, u tha në deklaratën e Listës Serbe.

Rakiç takon komandantin e KFOR-it

Në ditën kur Lista Serbe kërkoi takim me Vuçiçin, kreu i kësaj partie, Goran Rakiç, bisedoi për çështjen e targave me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, dhe me komandantin e bazës amerikane në Ferizaj, Bondsteel, Christopher Samulski.

Rakiç njëherësh është edhe ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, që udhëhiqet nga Albin Kurti.

“Është dërguar mesazh i qartë se serbët nuk do të heqin dorë nga targat që kanë përdorur deri më tani, sepse ato janë të ligjshme dhe ekziston një shqetësim i arsyeshëm për reagimin e ardhshëm të Prishtinës për këtë çështje”, tha Rakiç.

Ai shtoi se “gjendja e sigurisë është e paqëndrueshme dhe se duhet të bëhet gjithçka që çështjet e hapura midis Beogradit dhe Prishtinës të zgjidhen vetëm përmes dialogut, sepse në këtë mënyrë sigurohet zbatimi i tyre”.

Në këtë takim morën pjesë edhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe bë veri të Kosovës, përkatësisht krerët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut.

Zyrtarët serbë kërkuan nga misioni i NATO-s në Kosovë që të sigurojë paqe dhe stabilitet “dhe të bëjë gjithçka për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes”.

Më herët gjatë ditës, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se presidenti serb do t’i përgjigjet shpejt kërkesës së Listës Serbe për takim dhe shtoi se Beogradi po vazhdon “luftën diplomatike” për çështjen e targave.

Ai tha se Kurti po vazhdon të refuzojë që të diskutojë për këtë çështje.

“Kjo është ajo që presidenti Vuçiç ka thënë shumë herë, se ne nuk kemi lëvizur asnjë milimetër kur bëhet fjalë për një marrëveshje apo zgjidhje për targat”, tha Petkoviç në Partesh, një prej komunave me shumicë serbe në jug të Ibrit në Kosovë.

Petkoviq tha po ashtu se përdorimi i targave KM (Mitrovicë e Kosovës) nuk bie ndesh me Marrëveshjen e Brukselit, gjegjësisht, sipas tij, Qeveria e Kosovës “i ka hequr targat KS me status neutral, një vit para skadimit të afatit”.

Ai kujtoi se Beogradi më herët kishte ofruar si zgjidhje përdorimin e targave KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Prishtina e refuzoi këtë propozim.

Sipas Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, që Kosova dhe Serbia arritën më 2011 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, parashihej që të përdoreshin targat RKS (Republika e Kosovës) ose KS (targa me status neutral). Kjo ishte paraparë të ishte masë e përkohshme për një periudhë pesëvjeçare.

Kosova dhe Serbia më 2016 u pajtuan që të vazhdonin vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, që nënkupton se vlefshmëria e tyre skadoi në 2021.

Kërkesa për shtyrje

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 10 muaj procesin e riregjistrimit të makinave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 25 tetor se i merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë. Megjithatë, Kurti tha se vendimi për riregjistrim është shtyrë një herë nga autoritetet në Kosovë.

“Më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj dhe në vend se të jetë më 30 shtator, data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët kanë automjete me targa të stërvjetruara, KM, PR e të ngjashme, trashëgimi e Kosovës së [ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan] Millosheviçit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime, RKS”, tha Kurti.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian disa herë kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shmangin tensionet për çështjen e targave.

Kurti deklaroi se institucionet duan që të respektohet rendi dhe ligji, por “gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria”.

Megjithatë, Lista Serbe tha se “deklaratat për dhunë kundër popullit tonë nga Kurti, veçmas në veri, shkaktojnë frikë dhe pasiguri”.

“… dhe është e nevojshme që të takohemi urgjentisht [me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç] dhe të pajtohemi se si ta ruajmë paqen dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, u tha në deklaratën e kësaj partie.

Targat dhe vendimi për dokumente për hyrje/dalje rritën tensionet në veri më herët gjatë këtij viti.

Këto dy vendime të Qeverisë së Kosovës ishin paraparë të hynin në fuqi më 1 gusht, por pasi serbët lokalë, në shenjë proteste ngritën barrikada në veri, Qeveria e Kosovës shtyu zbatimin e vendimeve për një muaj.

Ndërkohë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve amerikanë, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të heqin nga përdorimi dokumentet për hyrje/dalje./REL

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share