Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka mbajtur sot një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ai ka thënë se derisa Serbia e respekton integritetin territorial të Ukrainës, pse vendet anëtare të OKB-së nuk reaguan njësoj për të mbrojtur integritetin territorial të Serbisë, raporton Klan Kosova.
“Përpjekjet për ta ndarë në copa vendin tim që kanë filluar më 2008 nuk ka përfunduar ende”, ka thënë Vuçiq. “Do të flas për principet që janë shkelur. Këtu në këtë sallë ne dëgjuam nga presidenti i SHBA-së kur tha se ndër principet më të mëdha është integriteti territorial”, ka shtuar ai.
Sipas tij, në rastin e Kosovës, të gjitha vendet perëndimore kanë shkelur kartën e OKB-së.
“Ka ndodhur pa ndonjë vendim nga Këshillit të Sigurimit që ta sulmojnë një vend të pavarur. Nuk ju erdhi mirë kur Putini i përdori të njëjtat justifikime”, ka thënë ai tutje. “Nga fitorja e këtyre 19 vendeve ndaj Serbisë, më e keqe se kjo është që tani këta flasin për integritetin territorial të Ukrainës. Ne e mbështesim integritetin territorial të Ukrainës edhe pse nuk i prishim raportet tona me Rusinë”, ka thënë Vuçiq.
“Kur i pyesim ata se çfarë kanë bërë në vendin tonë, ata thonë mos shikoni në të kaluarën, por në të ardhmen sepse kjo është rruga e duhur”, ka theksuar ai. Tutje, ai ka thënë se principet nuk duhet të ndryshojnë nga një rrethanë në tjetër, sipas tij, nëse nuk është kështu, ato më nuk janë principe.
Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe plagosjen e dy qytetarëve serbë në Shtërpcë më 6 janar 2023. Arrestimin e qytetarëve serbë nga ana e autoriteteve kosovare nën akuzat se kanë kryer krime lufte duke thënë se po dërgohen me akuza të fabrikuara nëpër burgjet e Kurtit. Ai po ashtu ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se dialogu me Prishtinën është më shumë monolog sesa dialog.
“Ne besojmë se dialogu është zgjidhja e vetme. Paqja dhe stabiliteti nuk kanë alternativë. Ne duam të ndërtojmë ura dhe jo mure”, ka thënë ndër të tjera Vuçiq.