Vuçiq: Do të shkoj në Bruksel për dialog, por nuk pres asgjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 2 gusht se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Brukselit që më 18 gusht të mbahet rundi i ri i dialogut me Kosovën, por tha se ai nuk e di “se për çfarë tjetër mund të flasim”.

“Gjithçka është konsumuar dhe ju më nuk e dini se çfarë mund të bëni. Unë do të shkoj, por nuk pres asgjë. Kushdo që mendon se me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti ka gjasa të ruhet paqja, e ka shumë gabim”, tha Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë.

Më 1 gusht, presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranuan ftesë nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për të vazhduar dialogun për të gjitha çështjet e hapura.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 1 gusht se nuk ka pranuar ftesë për takimin në Bruksel, por shtoi se është i gatshëm për dialog me Serbinë.

Ai tha se një takim me Vuçiqin ishte paraparë për 19 korrik, por presidenti serb kishte kërkuar që të shtyhet takimi.

“Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, do të shkoj në Bruksel. Një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi. Në momentin që do ta kemi, sigurisht që do ta bëjmë publike dhe do të shprehim qëndrimin tonë. Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke. Gatishmëria nga ana jonë ekziston”, tha Kurti gjatë një konference për media në Prishtinë.

Ftesa për dialog erdhi në kohën e rritjes së tensioneve në Kosovë, pasi serbët lokalë vendosën barrikada në veri të vendit, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Serbët kundërshtuan dy vendime të Qeverisë së Kosovës, që kishin të bënin me targat dhe dokumentet serbe, por më 1 gusht barrikadat u hoqën dhe Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri në shtator.

Vendimet e ekzekutivit kosovar kanë të bëjnë me pajisjen e shtetasve të Serbisë me dokument për hyrje-dalje, me të hyrë në territorin e Kosovës. Një gjë të tillë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet. Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia, që Kosova i konsideron ilegale.

Duke folur për tensionet në veri të Kosovës, Vuçiq tha se shteti ishte “një hap larg katastrofës” dhe paralajmëroi se përgjigja e Serbisë do të ishte e ndryshme nëse serbët do të sulmoheshin.

Vuçiq tha se autoritetet serbe “do ta mbajnë paqen dhe luten për paqe”, por ata “nuk do të lejojnë askënd që të maltretojë” qytetarët serbë.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së. Dialogu ka për synim normalizimin e raporteve. Kosova insiston se dialogu duhet të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë në kuadër të dialogut, por dy takimet nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret. Për herë të fundit ata kanë zhvilluar bisedime në korrik të vitit 2021./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share