Vuçiç kundër SHBA: Raportet e tyre të pasakta

“Eshtë ulur me 2/3 prezenca e forcave ushtarake në veri të Kosovës”

Në një intervistë për CNN, presidenti i Serbisë Vuçiç ka kundërshtuar raportet e institucioneve amerikane për prezencë të shtuar të trupave në kufirin me Kosovën. Ai theksoi se është ulur me dy të tretën prezenca ushtarake.

“Ne i kemi vlerësuar gjithmonë raportet që vijnë nga Shtëpia e Bardhë dhe institucionet e tjera amerikane. Problemi është se këto raporte nuk ishin plotësisht të sakta. Një vit më parë kishim 14 mijë trupa ushtarakë, disa ditë më parë ishin 8400 ndërsa sot janë 4400 trupa ushtarësh”

Megjithatë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mathew Miller nuk e konfirmoi largimin e trupave ushtarake serbe nga veriu i Kosovës në konferencën e tij të përditshme për shtyp këtë të Hënë, ku tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë prova se diçka e tillë ka ndodhur.

Për gazetaren e njohur Amanpur, Vuçiç tha se Radojiçiç do të përgjigjet përpara Drejtësisë.

“Serbia do të mbajë përgjegjësi per gjithë njerëzit që kanë kryer vepra kriminale dhe që ne mund t’i gjejmë në territorin tonë. Prokurorët do të bëjnë punën e tyre. Unë nuk do të mbroj një vrasje të një polici shqiptar dhe nuk e bëra. Unë e dënova atë. Por unë po them se serbët po arrestoheshin pa akuza, u kontrolluan shtëpitë e tyre dhe u dëbuan të cilat nuk janë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.”

Vuçiç refuzoi në Mars të nënshkruajë marrëveshjen gjatë samitit të Ohrit. Me ironi ai atëherë deklaroi se kishte dhimbje në dorën e djathtë prandaj nuk e hodhi firmën. Kjo deklaratë u risoll nga gazetarja e CNN, por sërish presidenti serb ironizoi duke akuzuar Kosovën.

“Unë e vlerësoj qasjen tuaj objektive dhe të paanshme. Ndoshta ju nuk e keni ndjekur atë që Bashkimi Europian tha pas përfundimit të takimit tonë të fundit. Serbia ishte plotësisht konstruktive, këtë e thanë edhe Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak. Ne jemi të gatshëm të negociojmë, por Bashkimi Europian e di se Kosova nuk është e gatshme të vazhdojë punën me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.”

Pas sulmit në Banjskë, ndërkombëtarët, kryesisht BE dhe SHBA, i kërkon Beogradit dhe Prishtinës të rinisin dialogun se e vetmja mundësi për arritjen e paqes.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share