Vuçiç: Formimi i Asociacionit është me rëndësi prioritare

Pas një takimi në Beograd, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u pajtuan që formimi urgjent i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është me rëndësi prioritare, tha Presidenca e Serbisë.

Vuçiç ka shkruar në profilin e tij në Instagram më 3 mars se ka informuar ambasadorin Hill për rundin e fundit të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili u mbajt më 27 Shkurt në Bruksel.

Veç formimit të Asociacionit, presidenti serb tha se “duhet shumë përpjekje, punë dhe diskutime për zgjidhjen e problemeve të akumuluara në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë”.

Ai tha gjithashtu se të premten ka biseduar edhe me ambasadorin britanik në Beograd, Shan McLeod, për hapat e mëtejshëm për të formuar sa më parë Asociacionin.

Në takimin e së hënës, Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pajtuan që për Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Por, palët nuk e nënshkruan këtë dokument, për të cilin një zyrtar i BE-së tha dje se duhet të nënshkruhet bashkë me aneksin ose planin e zbatimit.

Në nenin 10 të Marrëveshjes drejt normalizimit thuhet se “palët konfirmojnë detyrimin e tyre për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme në dialog, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”.

Në praktikë, kjo do të thotë se duhet të formohet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një konferencë virtuale me gazetarë, më 28 Shkurt, se Asociacioni duhet të formohet dhe se ai duhet të përfaqësojë “një nivel të vetëmenaxhimit, që nuk do të ndërhyjë në rendin kushtetues të Kosovës, në strukturën juridike dhe as funksionalitetin e Kosovës”.

Problemi kryesor për formimin e Asociacionit lidhet me kompetencat e tij.

Në Dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për formimin e Asociacionit nuk janë në përputhje me 23 nene të Kushtetutës, që kryesisht kanë të bëjnë me barazinë para ligjit, të drejtat dhe liritë themelore dhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe pjesëtarëve të tyre.

Kurti, duke iu referuar këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ka përsëritur vazhdimisht se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share