Vuçiç fiton bindshëm zgjedhjet

Shqiptarët e përçarë fitojnë vetëm një mandat

55 për qind e mbi 6,5 milionë votuesve morën pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale që u mbajtën të dielën në Serbi. Një pjesëmarrje më e lartë se e zgjedhjeve të shkuara, por se fitorja e tyre në ato parlamentaret do të anojë nga partia e presidentit Aleksandër Vuçiç dhe të aleatit të tij, të Partisë Socialiste Serbe, Ivica Daçiç.

Bazuar te të dhënat paraprake në këto zgjedhje të parakohshme, “Serbia nuk do të ndalet” e Vuçiç ka fituar 46.3 për qind të votave, ndërsa opozita, ajo e koalicionit “Serbia kundër dhunës” me 23 për qind.

E përkthyer në mandate, rezulton se nga 250 vende në Parlament, partia e Vuçiç do të ketë 129 deputetë, duke siguruar shumicën e nevojshme për të qeverisur të vetëm. Ndërsa opozita kryesore do të ketë vetëm 63 mandate. Vendin e tretë e zë koalicioni SPS i Daçiç me 6.8 për qind ose me 19 mandate. Ndërsa koalicioni NADA fitoi 4.9 për qind, ose 13 mandate.

Ndonëse në Luginën e Preshevës pati një pjesëmarrje tejet të ulët në zgjedhje, partitë shqiptare të ndara në dy lista koalicioni arritën të zgjedhin një deputet. Shaip Kamberi do të fitojë një tjetër mandat si deputet.

Opozita ka kontestuar procesin zgjedhor, duke aluduar për manipulime. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Boris Tadiç, u bëri thirrje të gjitha partive opozitare që bashkërisht të paraqesin kallëzim penal kundër organizatorëve, siç tha ai, “ për votim të paligjshëm nga qytetarët e shteteve fqinje”, duke iu referuar dhe serbëve që jetojnë në Kosovë.

Kryeministrja Ana Brnabiç hodhi poshtë pretendimet e opozitës, ndërsa shpalli fitoren e zgjedhjeve, duke deklaruar për mediat se nga të dhënat paraprake do të kenë më shumë se 125 mandate në parlament.

Sipas mediave, mbi 20 mijë serbë që jetojnë në Kosovë kaluan kufirin dhe votuan në zonat pranë kufirit për zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Kjo është hera e parë që në Kosovë nuk u mbajtën zgjedhjet serbe. Për shkak të fluksit të lartë në pikat kufitare, policia dhe forcat e sigurisë së Kosovës shtuan prezencën në pikat doganore dhe përgjatë kufirit.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share