Vrasja në Bllacë të Shkupit / PTHP heton dy pista për ngjarjen

Prokuroria Themelore në Shkup njofton se mbrëmë kanë bërë kontrolle në fshatin Bllacë të Shkupit në vendin ku mbrëmë u gjet i vrarë një person. Nga Prokuroria theksojnë se janë duke i ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit, madje edhe për të vërtetuar nëse kjo ngjarje ndërlidhet me zjarrin që është shkaktuar në një objekt hotelierie në Çair.

“Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike – Shkup ka kryer kontroll në vendin në afërsi të Bllacës, ku është gjetur trupi i pajetë i një mashkulli me plagë nga armë zjarri. Gjatë kontrollit janë kapur gjurmë, të cilat do të jenë objekt i ekspertizës. Është lëshuar urdhër për obduksion ndaj trupit të të ndjerit, ndërsa prokurori publik ka dhënë udhëzime që të kryhen kontrolle dhe të ndërmerren veprime për sigurimin e provave. Lidhur me një zjarr në një objekt hoteliere në Çair, një ekip inspektues i MPB-së ka kryer kontroll. Nga vendi i ngjarjes janë mbledhur provat, janë siguruar pamjet e video survejimit. Sipas informacioneve të para, zjarri është shkaktuar me qëllim. Po ndërmerren veprime për zbulimin e autorëve dhe për të verifikuar lidhjen e mundshme mes dy ngjarjeve”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Nga Ministria e punëve të brendshme, njoftuan se mbrëmë rreth orës 18.10 në SPB Shkup, personi N.T. ka njoftuar se e ka gjetur të vrarë me armë zjarri vëllain e tij Z.T. 56 vjeçar në afërsi të rrugës lokale nga Bllaca e Poshtme për në Bllacën e Epërme. Vrasja në Bllacë dhe djegia e kafeterisë në Çair, ka përplasur edhe partitë politike maqedonase. LSDM dhe VMRO-DPMNE-në akuzojnë njëra tjetrën se e kanë shndërruar Maqedoninë në Kolumbi.

“Ministri dhe kreu i SPB Shkupi të cilët i emëroi Mickoski tregojnë paaftësinë e madhe për të drejtuar MPB-në. DPMNE dhe Toshkovski nuk kanë kapacitet për të zbardhur rastin. Siguria e qytetarëve është e kërcënuar për shkak të paaftësisë së tyre. Ne po e bëjmë publikisht pyetjen e vërtetë. A është vetëm paaftësia e stafit të Mickoskit në MPB, apo strukturat e afërta me DPMNE-në po përpiqen të përfshihen në biznese ilegale të drogës?”, tha Darko Kaeski.

“Spasovski, Kovaçevski, Pendarovski ishin të parët në fotografitë me kriminelët që kanë likuiduar njëri-tjetrin në vitin e fundit. Dhe ky likuidim të çon në LSD. I vrari është gjetur nga i vëllai i policit, emri i të cilit përmendet në strukturën e kompanisë që shet qymyr ESM dhe REK Manastir. Koalicioni i LSD-së me krimin vazhdon dhe do të jetë këtu deri në rënien përfundimtare të këtij pushteti më 8 maj”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga VMRO-DPMNE thonë se të shtënat me armë do të mbesin simbol i qeverisjes së LSDM-së./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share