Përveç dy shqiptarëve që mbetën të vrarë në Athinë mbrëmjen e së dielës, e plagosur mbeti edhe një 32-vjeçare greke, e cila ndodhej në tavolinën pas shqiptarëve.
32-vjeçarja u godit në trup nga një plumb, por fatmirësisht raportohet se gjendja e saj shëndetësore është jashtë rrezikut.
Ajo ka dhënë dëshminë për hetuesit grekë të cilëve u ka treguar për dinamikën e atentatit.
Sipas saj, plumbi do ta kishte prekur në kokë nëse atë moment nuk do të ishte në këmbë duke biseduar.
“Isha me motrën time në lokal, ishim në këmbë dhe po flisnim me pronaren e lokalit. Isha me shpinë dhe nuk e pashë autorin kur hyri. Dëgjova të shtënat e armës dhe u panikosa. Në fillim nuk e kuptova se isha plagosur deri kur pashë gjakun. Fatmirësisht ishim në këmbë, në të kundërt plumbi do të na kishte prekur në kokë”, tha 32-vjeçarja e plagosur.
Nga atentati mafioz në mes të një lokali në Athinë në lagjen “Nea Smyrni” mbetën të vrarë dy shqiptarët Kreshnik Çerçizaj 41 vjeç nga Vlora dhe Armando Organja 44 vjeç nga Berati. Viktimat kanë qenë persona të skeduar nga policia greke. Autori i vrasjes ishte i maskuar dhe i paidentifikuar ende. Hetuesit dyshojnë se krimi ka ndodhur për larje hesapesh mes bandave. /tvklan.al