VMRO: VETURA ME TË CILËN U RRËMBYE VANJA ËSHTË REGJISTRUAR NË DISA VENDE PARAPRAKISHT
LSDM: OPOZITA MAQEDONASE PO E KEQPËRDORI RASTIN PËR POLITIKË
VMRO – DPMNE pretendon se, vetura me të cilën është rrëmbyer 14 vjeçarja, tani më e ndjerë, Vanja Gjorçevska, është regjistruar në sistemin e kamerave “Qytet i sigurt”, para ditës së kryerjes së krimit, edhe atë në disa lokacione të ndryshme.
Dragan Kovaçki nga kjo parti, kërkon përgjigje nga ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski se, si është e mundur që vetura që është paraqitur si e humbur pesë ditë para rrëmbimit të së miturës, të kalojë nëpër 40 kamera të sistemit “Qytet i sigurt”, Ministrisë së Mbrojtjes dhe subjekteve të tjera.
“A është vërejtur vetura në kamera, në ditën e kobshme më 27 nëntor në orën 7:32 tek Aleksandar Palace dhe Zllokuqa dhe si është e mundur që ajo veturë të kalojë e pakontrolluar përmes lokacionit më të siguruar në Maqedoni në atë moment, e ndoshta edhe në rajon, për shkak të përgatitjeve të Këshillit të OSBE-së” – tha Dragan Kovaçki, VMRO.
Por nga LSDM pretendimet e Kovaçkit i kanë quajtur manipuluese.
“Është e dukshme se, tentimet për manipulim, minim të hetimit, nevojës së shtrembëruar për ta keqpërdorur rastin me vdekjes e Vanjës, janë për shkak të takimeve të Mickoskit me Palevski për të cilat po heshtet. Opinioni e di shumë mirë se, qëndrimet radikale të Palevskit ishin vegël e DPMNE-së dhe satelitëve të tij” – deklaroi Darko Kaevski, LSDM.
14 vjeçarja Vanja Gjorçevska u rrëmbye më 27 nëntor, para banesës ku jetonte. Trupi i pa jetë i saj u gjet më 3 dhjetor. Për këtë rast të dyshuar janë pesë persona, prej të cilëve i dyshuari i parë, u arrestua ditë më parë në Turqi, ku ishte arratisur disa ditë pas kryerjes së krimit. /KlanMacedonia/