VMRO-DPMNE i ka bërë sot thirrje kryeministrit Kovaçevski dhe qeverisë së tij, që të dorëzojnë në Kuvend iniciativën për ndryshimet kushtetuese e për të parë, sipas tyre, nëse vërtet i kanë 2/3 e votave, përcjell KlanM.
“Fjala vjen, kur Kovaçevski të dorëzojë iniciativën për ndryshime kushtetuese, le të shtypë një letër dorëheqjeje me përmbajtjen e njëjtë që e ka përgatitur herën e kaluar, por që e ka grisur Talat Xhaferi. Presim që ai të dorëzojë dorëheqjen menjëherë pas votimit në Kuvend, kur të konstatohet se qeveria nuk ka shumicë prej dy të tretave e me këtë të mos ketë as kushte për fillimin e procedurës për ndryshimin e Kushtetutës. Kot zvarriten, kot mbjellin mjegull, kot blejnë kohë. Në këto kushte dhe në një diktat të tillë nuk do të ketë ndryshime kushtetuese sepse VMRO-DPMNE dhe populli nuk do ta lejojnë”, thuhet në reagimin e VMRO-së./KlanMacedonia