LSDM: VMRO KA PËRHAPUR ME VETËDIJE GËNJESHTRA NË DËM TË SHTETIT
Partia opozitare maqedonase VMRO – DPMNE kërkon përgjegjësi nga kryeministrit, Dimitar Kovaçevski në lidhje me propozimin francez, i cili dje kaloi në Kuvendin bullgar. Nga kjo parti kanë akuzuar kryeministrin se, manipulon kur thotë se ai dhe Qeveria nuk e kanë ditur për propozimin në përgatitje të së cilit, sipas tyre, kanë marrë pjesë organe zyrtare shtetërore. VMRO – DPMNE po ashtu, ka kërkuar dorëheqjen e zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, për të cilët thotë se janë të përfshirë drejtpërdrejt në procesin e negociatave.
“Dje edhe Osmani edhe Mariçiqi pranuan publikisht se kanë gënjyer gjithë opinionin maqedonas se nuk e kanë parë dhe shqyrtuar propozimin francez. Pikërisht dje doli në pah ajo që e potencojmë me ditë, se Kovaçevski, Osmani dhe Mariçiq kanë negociuar dhe dakorduar këtë propozim të dëmshëm për Maqedoninë më shumë se 6 muaj, të cilin ë fund e kanë pranuar, që më vonë të tërhiqen për shkak të presionit të VMRO – DPMNE-së dhe qytetarëve”,deklaroi deputetja e VMRO-së, Marija Miteva
Nga ana tjetër, partia në pushtet LSDM, ka akuzuar opozitën maqedonase dhe liderin e saj se, kanë plasuar me vetëdije të pavërteta, lajme të rrejshme përmes të cilave i kanë frikësuar qytetarët me pretendimin se shteti do të asimilohet dhe bullgarizohet .
“Në kohën kur zgjidhej procesi eurointegrues i shtetit, Hristijan Mickoski dhe VMRO – DPMNE përhapnin gënjeshtra përmes së cilave tentonin t’i minojnë interesat shtetërore. Mickoski dhe VMRO – DPMNE frikësonin opinionin me pretendimin se janë shitur gjuha, identiteti dhe historia maqedonase, gënjenin për njëfarë asimilimi dhe bullgarizimi të shtetit. Kjo është sjellje e turpshme, e papërgjegjshme dhe antishtetërore e Mickoskit dhe VMRO – DPMNE-së”, deklaroi Darko Kaeski nga LSDM.
Nga kjo parti kanë shtuar se, Qeveria dhe kryeministri Kovaçevski do të vazhdojnë t’i mbrojnë pozicionet shtetërore dhe interesat nacionale./KlanMacedonia/