Më 3 maj seanca konstituive e grupit punues për reforma zgjedhore
Ministria e Drejtësisë do t’i rikthehet edhe njëherë përpjekjeve për të ndryshuar Kodin Zgjedhor dhe për të zbatuar rekomandimet që vijnë nga organizatat ndërkombëtare. Në drejtim të kësaj, më 3 maj pritet të mbahet seanca konstituive e grupit të punës për reforma zgjedhore, të formuar nga Ministria e Drejtësisë Në prag të kësaj seance, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski propozon që vendi të ketë një njësi zgjedhore. Mickoski duke u përgjigjur për gazetarët gjatë një aktiviteti në Vasilevë, tha se modeli zgjedhor me një njësi, do të ishte më i duhur, pasi në këtë rast të gjithë deputetët do të zgjidheshin me numër të barabartë të votave.
“Nuk ka nevojë për nacionalizëm, nuk ka nevojë do të thosha për irredentizëm, çdo qytetarë është i njëjtë para Kushtetutës dhe ata që votojnë në Tetovë dhe Gostivar duhet të jenë të barabartë me ata që votojnë në Strumicë, Vasilevë, Bosilovë, Novo Sellë e kështu me rradhë. Ju bëj thirrje edhe njëherë evropianëve nga BDI dhe partnerit të koalicionit, Aleanca për Shqiptarët, unë jam i bindur se partneri më i vogël, LSDM do të pranojë atë që do të thonë ata, ne jemi të gatshëm si VMRO ta mbështesim atë në Kuvend, të kemi një njësi zgjedhore”, deklaroi Mickoski.
Pjesë e grupit punues për reformat zgjedhore janë përfaqësues të partive politike, organizatave joqeveritare, sindikatave, ministrive dhe organeve kompetente për zbatimin e procesit zgjedhor. Kryesues i grupit punues do të jetë Aleksandar Novakovski, ekspert dhe ish-kryetar i KShZ-së.
Disa nga vërejtjet më serioze që ka drejtuar OSBE/ODIHR sa i përket proceseve zgjedhore në vend, kanë të bëjnë me shkeljen e kritereve të Kopenhages, efikasitetin e procedurës së procedurës së ankesave dhe mënyrës së financimit rreth raporteve që merren./KlanMacedonia