VMRO-DPMNE: Kemi arritur shumë në kushte të krizës dhe obstruksioneve nga ana e pushtetit

VMRO-DPMNE-ja i ka thirrur mbi 40 kryetarë të komunave në llogaridhënie në Shkup. Në eventin dyditor të quajtur “panairi i parë politik” shumica e kryetarëve të komunave kanë vënë në dukje se kanë gjetur gjendje të rëndë në komuna, ndërsa brenda një viti kanë arritur të realizojnë shumë projekte që ua kanë premtuar qytetarëve.

Tubim mburrjesh, kështu mund të përshkruhet shkurt tubimi i kryetarëve të komunave të VMRO-DPMNE-së të cilët vitin e kaluar pas fitores në zgjedhjet lokale e morën pushtetin në 42 komuna në vend.

“Aerodromi është komuna e cila u ka dhënë mbi 800 tableta pa pagesë nxënësve të klasave të katërta. Pse? Sepse atëherë fillon faza e parë, kyçe e digjitalizimit. Ne jemi shtet në të cilin fëmijët nuk kanë libra, sepse pushteti qendor nuk ua ka siguruar, kështu që ne si komunë shkojmë në fazë më të avancuar” – tha Timço Muunski.

“Komuna e Zelenikovës është me buxhet bazë shumë të ulët, megjithatë nga ato që kemi premtuar kemi arritur të realizojmë 26 nga gjithsejt 78 projekte të premtuara në program, do të thotë një e treta. Nga infrastruktura rrugore është rikonstruktuar rruga në stacionin Zelenikovë në gjatësi 5 mijë metra.” – tha Kosta Manevski, kryetar i komunës Zelenikovë.

Ndërsa nga LSDM akuzojnë se kryetarët e VMRO-DPMNE-së nuk kanë bërë asgjë për një vit sa po i udhëheqin komunat.

“Panairi partiak i VMRO-DPMNE-së është vetëm një dëshmi se kryetarët e kësaj partie nuk punojnë për interesat e qytetarëve, por për biznes interesat personale të Mickoskit. Mickoski është kryetar i çdo komune të udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Ai bën inspektime, bën blerje, para tij, në vend se të japin llogaridhënie para qytetarëve ata japinllogaridhënie para kryetarit të VMRO-DPMNE-së”. – tha Darko Kaeski, LSDM.

VMRO-DPMNE-ja, opozitare në nivel qendor, përkatësisht në Kuvend, e cila në nivel komunal është parti kryesore në pushtet, pohon se kryetarët e saj të komunave për një vit kanë realizuar projekte në vlerë 125 milionë euro – për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, parqeve, çerdheve, terreneve sportive dhe vlerave kulturore. Gjithë kjo, siç pohon kreu i partisë – në kushte të krizës serioze ekonomike, obstruksioneve dhe marrëdhënieve jomiqësore me Qeverinë dhe shkurtimin e fondeve.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e cila në zgjedhje mori pjesë si kandidate e pavarur, por fitoi me votat e VMRO-DPMNE-së, nuk mori pjesë në tubimin e sotëm, pas ftohjes së marrëdhënieve me partinë dhe akuzat e ndërsjella për korrupsion. /KlanMacedonia/

PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share