Vlera e euros më e ulët se e dollarit për herë të parë në 20 vjet

Vlera e euros ka rënë nën vlerën e dollarit për herë të parë në pothuajse 20 vjet, teksa lufta në Ukrainë është duke ndikuar në vlerën e monedhës.

Një euro është blerë për 0.998 dollarë në tregjet e huaja të këmbimit më 13 korrik. Vlera e euros ra për 0.4 për qind gjatë ditës së sotme.

Banka Qendrore Evropiane ka qenë më e ngadalshme sesa bankat e tjera qendrore sa i përket rritjes së normave, duke dobësuar edhe më tej euron.

Vlera e monedhave priren të rriten kur banka qendrore përkatëse rrit normat e interesit, pasi investitorët ndërkombëtar kërkojnë që të përfitojnë një kthim më të madh nga mbajtja e aseteve me atë monedhë.

Muajt e fundit, dollari ka qenë i fortë pasi Banka Qendrore amerikane ka rritur normat e interesit.

Euroja, që është duke u dobësuar, do t’i bëjë importet më të shtrenjta për vendet e eurozonës, veçanërisht mallrat me çmime në dollarë, sikurse nafta e papërpunuar.

Kjo mund të kontribuojë në një inflacion edhe më të lartë në eurozonë, që në muajin qershor arriti në 8.6 për qind.

Një zëdhënës i Bankës Qendrore Evropiane tha se “ne nuk kemi për cak një kurs të caktuar këmbimi. Megjithatë, ne jemi gjithmonë të vëmendshëm ndaj kursit të këmbimit në inflacion, në përputhje me mandatin tonë për stabilitetin e çmimeve”.

Banka Qendrore Evropiane pritet të nisë rritjen e normave të interesit nga java e ardhshme.

Që nga fillimi i viti, euro ka rënë pothuajse 12 për qind kundrejt dollarit./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share