MPB-ja është duke kontrolluar nëse Kryeparlamentari, Afrim Gashi, me veturë zyrtare ka udhëtuar në Kosovë, pasi në media u publikuan xhirime ku shihet makina e tij në një kolonë dasme në Kosovë.
MPB-ja ka theksuar se shërbimet kompetente për momentin janë duke bërë kontrolle adekuate për të konstatuar situatën faktike pas cka do ta njoftojnë opinionin.
Në mungesë të reagimeve nga Qeveria, ka reaguar partia opozitare Liberal Demokrate duke pyetur nëse Gashi me vete ka patur edhe fletudhëtimin dhe si mund ta arsyetojë udhëtimin dhe përdorimin e makinës zyrtare.
Kanë reaguar nga Kabineti I Kryeparlamentarit, Afrim Gashi, sic thonë, ndaj pohimeve të pasakta dhe tendencioze. Sipas tyre, Kryetari I Kuvendit shoqërohet nga sigurimi 24 orë në javë, ashtu sic parasheh ligji dhe se ky detaj sigurie funksionon konform ligjit.
“Kryetari i Kuvendit më 17 gusht 2024, bashkë me familjen, udhëtoi në Kosovë. Kjo vizitë ishte tërësisht transparente dhe e harmonizuar me të gjitha procedurat. Para nisjes, sipas rregullit, ishin njoftuar MPB-ja dhe MPJ-ja dhe është dorëzuar i gjithë dokumentacioni sipas protokollit të konstatuar për çdo person zyrtar që largohet nga vendi. Organet kompetente mund ta konfirmojnë këtë informatë, se të gjitha procedurat janë konform përgjegjësive dhe obligimeve të Kryetarit të Kuvendit”, thonë nga kabineti i kryeparlamentarit Gashi.
Ndryshe, Kryeparlamentari Afrim Gashi, në fillim të gushtit ishte implikuar në incidentin në Aeroportin e Shkupit kur Presidentja e Kosovës duhej të fluturonte nga ky aeroport. /tvklan.mk