Një flamur i Palestinës është vendosur të dielen mbi objektin e një hoteli në Prishtinë, disa orë para ndeshjes që kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë në “Fadil Vokrri”, kundër Izraelit, e cila është e vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian “EURO 2024”.
Përgjegjësinë për këtë veprim, e ka marrë Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
“Sot shpalosëm flamurin e Palestinës si akt i solidaritetit me luftën e popullit palestinez për liri. I vendosur krahas flamurit që kërkon çlirimin e Ukrainës, ky flamur denoncon pretendimet për solidarizim selektiv dhe insiston në të drejtën e çdo populli për liri. Ne qëndrojmë të bashkuar/a dhe të vendosur/a të kundërshtojmë dhe luftojmë çdo okupim, kolonizim dhe racializim të popujve”, thuhet në njoftimin përcjell Klankosova.tv
Por, flamuri u hoq shumë shpejt pas vendosjes.
“Këtë akt ne e lexojmë si tentativë heshtuese nga shteti i Kosovës dhe pozicionim shqetësues në përkrahje të luftës gjenocidale të shtetit të Izraelit ndaj popullit palestinez”, thuhet në reagim.
“*Ky aksion është në vazhdën e intervenimeve publike në solidaritet me Palestinën, e organizuar nga grupe dhe aktivistë/e të pavarur/a”, thuhet tutje në reagimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, përcjell Klankosova.tv
Lidhur me rastin Klankosova.tv i ka shkruajtur edhe policisë së Kosovës, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Ndeshja Kosova-Izraeli, nis nga ora 20:45 dhe transmetohet drejtpërdrejtë në Klan Kosova.