Vendimi i furrtarëve mbetet në fuqi dhe sot nuk do të dorëzojnë bukë

Edhe sot nuk do të ketë bukë në raftet e marketeve, thonë furrtarët. Ata i qëndrojnë vendimit nga e hëna që nuk do të ketë prodhim dhe dorëzim.

Siç thonë përfaqësuesit e tyre për MIA-n, ata janë të gatshëm për bisedë me institucionet kompetente, por vetëm kur të marrin ftesë zyrtare, e jo “thirrje” apo “apel” përmes konferencës për media.

Sipas furrtarëve, askush nuk duhet të presë që të ketë bukë për 20 denarë. Çmimi nuk duhej të ngrihej, sepse kjo, theksojnë ata, bie ndesh me të drejtën kushtetuese për lirinë e tregut dhe as të anulohej energjia e subvencionuar sepse masa dha rezultat. Në shitje me pakicë kishte bukë nga 32 deri në 35 denarë, varësisht nga cilësia dhe pesha.

Industria e furrave në këtë situatë të re pret mbështetje nga të gjitha industritë e tjera në vend.

“Vendimi ynë mbetet në fuqi. Buka nuk do të dërgohet sot në treg. Qeveria është në pritje të një vendimi pozitiv lidhur me kërkesat e furrtarëve. Ngrirja e çmimit bie ndesh me të drejtën kushtetuese për lirinë e tregut. Presim përkrahje nga industritë tjera, nga të gjithë, sepse nëse kjo po ndodh me industrinë e furrës, mund t’u ndodhë edhe atyre”, theksoi në një bisedë për MIA-n një përfaqësues nga Grupacioni i Industrisë së Mullixhinjve dhe Furrës.

Një pronar i një prej mullinjve më të mëdhenj shton se rryma e subvencionuar i ka shërbyer qëllimit të saj.

“E përsërisim se nuk ka pasur nevojë të ngrihet çmimi i bukës, sepse vetë industria e ka korrigjuar atë në 32 dhe 35 denarë. Në treg ka pasur çmime të tilla, është bërë një çmim social për një kategori të caktuar qytetarësh para se të ngrihej çmimi i bukës. Që nga e hëna kemi qenë të mendimit se masa e subvencionuar e energjisë elektrike e ka përmbushur qëllimin e saj sepse që nga hyrja në fuqi çmimet janë ulur. Pritja që buka të jetë 20 denarë nuk mund të realizohet dhe thjesht nuk do të jetë, por ka pasur bukë 32 dhe 35 denarë varësisht nga cilësia dhe pesha. Sa i përket “ftesës” për takim të dërguar nga ministri Kreshnik Bekteshi, do t’i thosha se industria e furrës është gjithmonë e gatshme për bisedë, por duhet të jetë e ftuar fizikisht, me një temë specifike për bisedë, dhe jo përmes konferencës për shtyp” theksoi në konferencën për shtyp mullixhiu për MIA-n.

Sot për të dytën ditë bukë e bardhë dhe gjysëm e bardhë nuk dërgohet nëpër shitore pasi që pardje Qeveria mori vendim për ngrirjen e çmimit prej 33 denarë. Arsyeja e kësaj mase, siç sqaruan kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministrat e Ekonomisë dhe Bujqësisë, Kreshnik Bekteshi dhe Lupço Nikollovski, është mospërmbushja e marrëveshjes nga kompanitë për dorëzimin e subvencionimit të energjisë elektrike, si dhe mbrojtja e “xhepave” të qytetarëve.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share