Vendet e Bashkimit Evropian do të pranojnë që të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, t’i zgjatet mandati edhe për 18 muaj.
Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike në Bruksel se në takimet e përfaqësuesve të vendeve anëtare asnjë shtet nuk e ka kundërshtuar vazhdimin e mandatit të Lajçakut. Tash mbetet të kryhet vetëm pjesa formale. Kështu, ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, pritet t’i vazhdohet mandati deri më 1 prill të vitit 2024.
Ai kishte nisur mandatin fillimisht njëvjeçar në prill të vitit 2020. Pastaj i ishte vazhduar mandati edhe pas 1 prillit 2021, për 18 muaj. Vazhdimi i ri prej 18 muajve shtesë, i cili pritet të konfirmohet edhe formalisht këto ditë në Bruksel, do të bëjë që Lajçaku të jetë në këtë post gjithsej katër vjet./REL