Ambientalisti dhe profesori universitar, Afrim Osmani jep alarmin për ndotjen e ajrit në vend dhe rajon. Ai ka publikuar listën e fundit të IQ Air ku vërehet se vendet e Ballkanit Perëndimor janë ndër më të ndoturat në botë.
Shkupi në vendin e tetë, Prishtina e 19-ta, Sarajeva në vendin e 35-të dhe Beogradi në vendin e 43-të. Kështu është radhitja e kryeqyteteve më të ndotura ballkanike, raporton Klan Maqedoni.
Sipas Prof.Dr. Afrim Osmani, urgjentisht duhet të merren masa në këtë drejtim, për të mbrojtur mbi të gjitha, shëndetin e qytetarëve. Osmani sugjeron disa masa urgjente që duhet të vihen në zbatim.
“Mbajtja e obligueshme e maskave, transporti publik pa pagesë, të lirohen nga obligimet e punës të gjitha kategoritë më të prekura të personave dhe menjëherë të ndërpritet mësimi në shkollat fillore dhe ato të mesme”, thotë ambientalisti Afrim Osmani.
Ditë më parë, si pasojë e ndotjes së ajrit, Qeveria e Maqedonisë ngarkoi të gjitha organet e administratës shtetërore, agjencitë, byrotë, entet, ndërmarrjet publike dhe Shoqatat Aksionare në pronësi të shtetit si dhe të pushtetit lokal ta ulin përdorimin e veturave zyrtare deri në 50% dhe të sigurojnë kufizimin e punëve në objektet e ndërtimit.
Gjithashtu, qeveria obligoi Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Ministrinë e Shëndetësisë që t`u rekomandojnë subjekteve juridike – punëdhënësve që t`i lirojnë nga obligimet e punës gratë shtatzëna, të moshuarit mbi 60 vjec, si dhe personat me sëmundje kronike dhe ta riorganizojnë orarin e punës në ambiente të hapura nga ora 11.00 deri 17.00./KlanMacedonia