Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka vazhduar me tone kërcënuese duke komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Daçiq paralajmëron rezistencë të serbëve, në rast se, siç thotë ai Kosova e dërgon policinë në veri, transmeton Reporteri.net.
“Asnjëherë nuk ka pasur policë shqiptarë në veri të Kosovës dhe nëse kjo ndodh, serbët do të rezistojnë dhe askush nuk mund t’i ndalë”, tha Daçiq për Eureonews Serbia.
“Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dërgon policinë në veri, mund të ketë konflikte të armatosura dhe këtë e dinë të gjithë”, shton tutje Daçiq.
Ai ka thënë se çmimi për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë do të jetë çmimi që Serbia është e gatshme të paguajë për humbjen e mbështetjes për shkak të Kosovës.
Duke iu referuar propozimit gjermano-francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ai tha se është e papranueshme që ai të vlerësohet unanimisht në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sepse thelbi i tij është “që ta njohin drejtpërdrejt apo tërthorazi Kosovën”. Kjo, shtoi ai, është e papranueshme për ta.