Vazhdon ndalesa për eksport të lulediellit

KORRJA E SIVJETSHME E MJAFTUESHME VETËM PËR DY MUAJ KONSUM TË VAJIT PËR GATIM

Është vazhduar afati për ndalesën për eksport të farës së lulediellit deri në fund të këtij viti. Qëllimi i këtiij vendimi të Qeverisë është që pas përfundimit të korrjes, në fund të muajit gusht, gjithë prodhimtaria vendase të destinohet për përpunimin e vajit për gatim. Në qoftë se gjatë vitit të kaluar korrja vjetore e lulediellit në vend ishte rreth 6000 tonë, këtë vit pritet të jetë dyfish më shumë, megjithatë e pamjaftueshme për plotësimin e nevojave për vaj.

Me vendim të Qeverisë është vazhduar afati i ndalesës për eksport të farës së lulediellit, nga fundi i korrikut deri në fund të dhjetorit të këtij viti, me qëllim që gjithçka që do të korret nga fushat të shfrytëzohet në fabrikat në vend për prodhimin e vajit për gatim. Këtë vit pritet që sasia  të jetë rreth 12 mijë tonë, që është dyfish më shumë se vitin e kaluar, megjithatë kjo do të jetë e mjaftueshme për plotësimin vetëm brenda dy muajve të nevojave vendase për vaj për gatim. Pas luftës në Ukrainë, kur bota u përball me mungesë të madhe të vajit për gatim, Qeveria ndërmori masa për nxitjen e bujqve të mbjellin lulediell.

“Këtë vit për herë të parë është siguruar mbështetje financiare për plehra artificiale për lulediell në vlerë 40% të çmimit ose 2500 denarë për hektar, si masë plotësuese e ndihmës financiare bazë në vlerë 11 mijë denarë për hektar – pa shfrytëzimin e materialit farë të çertifikuar dhe nga 15 mijë denarë për hektar – me shfrytëzimin e materialit farë të çertifikuar. Në mënyrë plotësuese, për lulediellin e prodhuar dhe të dorëzuar me së paku 1500 kilogram nga një hektar në ndërmarrjen e regjistruar blerëse, paguhen nga 5.760 denarë për hektar,” deklaroi Ministria e Bujqësisë

Çmimi i vajit të lulediellit për gatim në tregun vendas për një vit u rrit dy herë e gjysmë, prej 60 denarë në 150 denarë për një litër. Rritje të çmimit ka edhe te të gjitha produktet tjera ushqimore, gjë që krijon pasiguri – deri kur do të zgjasë kriza dhe çfarë përmasa do të arrijë./KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share