Vazhdojnë reagimet për Ligjin e Gjuhëve – Deklarata e kreut të Kushtetueses, aventurë e rrezikshme!

Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve vlerëson se deklaratat e një ditë më parë të kryetari të Gjykatës Kushtetuese rreth Ligjit të Gjuhëve janë aventurë e rrezikshme, pasi siç thonë nga kjo Agjenci, preket një nga temat më të ndjeshme, e drejta për gjuhën e një etniteti, që u garantua me ligj që buron nga Marrëveshja e Ohrit që i dha fund konfliktit në vend.

GRAFIKË: AGJENCIA PËR ZBATIMIN E GJUHËVE

“Prandaj çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë ose për ta reduktuar këtë të drejtë themelore, mbase është e rrezikshme. Konstatimi i kryetarit në fjalë se ky ligj “ka prodhuar kaos politik, mosbesim, dilema”, konsiderojmë se është një tendencë për ta dramatizuar situatën pa asnjë nevojë reale. Nuk mund të merret në rishqyrtim një nismë e ngritur, siç thotë ai, “nga qytetarë, parti politike, shoqata të ndryshme”, për arsye se fare nuk cenohet e drejta gjuhësore e tyre. Nismat e këtilla janë kryekëput me karakter politik, nacionalist dhe antinjerëzor. Gjuha shqipe u përket shqiptarëve dhe nuk rrezikon askënd. Tendenca për ta përjashtuar shqipen nga përdorimi zyrtar, është ide e vjetër e cila, siç e dimë, ka prodhuar tensione dhe konflikte. Pavarësisht nga tendencat, përpjekjet dhe deklaratat e tilla tensionuese, Agjencia e Zbatimit tëGjuhës do të vazhdojë ta kryejë punën e vet, siç ka bërë edhe deri tani, në pajtim me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve.”

Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi përmes një reagimi në rrjetet sociale thotë se tentimi për shfuqizim të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve apo pezullimi i tij nuk mund të bëhet, pavarësisht, siç thotë dëshirës së koalicionit VMRO-VLEN-ZNAM.

ARBËR ADEMI: ZËDHËNËS I BDI-së

“Arsyetimi i Degës së VMRO-së në VLEN, se është Levica ajo që e ka kontestuar Ligjin e gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese, nuk është asgjë tjetër pos nënshtrim i radhës dhe zhbërje të çdo të arriture të shqiptarëve në RMV. VLEN duhet ta ketë të qartë se gjuha shqipe është e shenjtë dhe se çdo përdhosje e saj rrezikon stabilitetin politik dhe etnik në Maqedoninë e Veriut. Pas ndryshimit të formulës së Balancuesit dhe nënçmimit të shqiptarëve, vazaliteti i VLEN-it duket se nuk ka fund. Megjithatë, të njëjtit duhet ta dinë se historia shqiptare mban mend shumë Rrahman Morina që, për interesa vetjake dhe grupore, shitën çdo gjë kombëtare!”

Lidhur me këtë temë, në kuadër të reagimeve të një dite më parë ishte edhe ai i koalicionit Vlen. Ata e konsiderojnë nismën në Gjykatën Kushtetuese si tentativë për grusht shteti. Ata thanë se nuk duan të cenojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, por shtojnë se nëse ky ligj përdoret për politikë ditore do të sjellë rreziqe. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share