Vazhdojnë negociatat – VMRO ”pro” shfuqizimit të Qeverisë së Përzhinës?!

QEVERIA E RE

Vazhdojnë negociatat VMRO-VLEN për qeverinë e re, informojnë përfaqësues të partive politike që janë pjesë të grupeve të punës.

Bëhet e ditur se negociatat janë në fazën përfundimtare, por nuk zbulohen emra të ministrave të rini, pavarësisht se në opinion tashmë qarkullojnë shumë emra që do të jenë në krye të ministrive.

Sipas partive politike, detajet do të bëhen publike pas finalizimit të negociatave.

Azir Aliu i koalicionit VLEN gjatë një prononcimi për MIA-n, duke mos zbuluar detaje tjera, ka theksuar se pret që negociatat VMRO-VLEN të përfundojnë në 3 deri 4 ditët e ardhshme.

Nga Lëvizja “Znam” e Maksim Dimitrievskit, kanë deklaruar se janë në fazën finale negociatat për bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në. Por edhe nga kjo parti nuk zbulohen detaje tjera.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE thotë se qëndrimi i tyre për shfuqizimin e të ashtuquajturës “Qeveri e Përzhinës” mbetet i pandryshuar.

“Nëse VMRO-DPMNE është duke menduar, sic paralajmëronte në periudhën parazgjedhore, të propozojë shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinës? Të nderuar! Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së mbetet i pandryshuar” – tha Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE.

Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova, javën e ardhshme do ta ndajë mandatin për përbërjen e re qeveritare. Afati për ndarjen e mandatit skadon më 7 qershor.

Konform Kushtetutës, Presidenti i vendit, është I obliguar që në afat prej 10 ditëve nga konstituimi i Kuvendit t`ia ndajë mandatin për Qeverinë e re, partisë ose partive që kanë shumicën në Kuvend, kurse mandatari në afat prej 20 ditëve nga marrja e mandatit, duhet që në Kuvend ta dorëzojë përbërjen dhe programin e Qeverisë.

Qeveria, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, zgjidhet nga Kuvendi me shumicë prej 61 nga gjithsejt 120 deputetët. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share