VALA E TË NXEHTIT
Krahas valës së nxehtë afrikane, që ka kushtëzuar temperatura mbi mesatare të ajrit për qershorin, vendi ynë “mbërthehet” edhe nga retë me rërë dhe pluhur nga Sahara.
Metereologët thonë se atmosfera nuk do të jetë e pastër por e turbulluar, që do të ndikojë të kemi mot të nxehtë dhe të padurueshëm, kurse temperaturat do të duken si më të larta se ato reale.
Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometereologjike, në ora 11.00, në Gjevgjeli, Kavadar dhe Demir Kapi temperatura ka qenë 31 gradë, në Shkup 29, kurse më freskët ka qenë në Krushevë me 22 gradë.
Ditëve në vijim priten të rriten temperaturat. Gjithandej vendit do të jenë mbi 30 deri 35 gradë, kurse në viset qendrore dhe juglindore, të martën dhe të mërkurën, do të shkojnë deri në 40 dhe 41 gradë Celsius.
Autoritetet shëndetësore tashmë kanë paralajmëruar qytetarët që të jenë më të kujdesshëm gjatë lëvizjeve të tyre, vecanërisht në periudhën nga ora 11.00 deri 17.00. /tvklan.mk/