Një valë e re e Covid-19 duket se do të krijohet në Europë me ardhjen e motit të ftohtë, paralajmërojnë ekspertët e shëndetit publik.
CNN shkruan se nënvariantet e Omicron BA.4/5 që dominuan këtë verë janë ende pas shumicës së infeksioneve, por nënvariantet më të reja të Omicron po fitojnë terren. Qindra forma të reja të Omicron po gjurmohen nga shkencëtarët, thanë zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) këtë javë.
Të dhënat e OBSH-së të publikuara së fundmi treguan se rastet në Bashkimin Europian arritën në 1.5 milionë javën e kaluar, 8% më shumë se javën paraardhëse, pavarësisht se kishte një rënie drastikle të testimit të rasteve të reja. Ndërkohë, në nivel global, numri i rasteve vazhdon të bjerë.
Numri i shtrimeve në spital në shumë vende në bllokun 27-vendesh, si dhe në Britani, janë rritur javët e fundit.
Ndërkohë vaksinat e përshtatura për luftimin e Omicron janë lançuar në Evropë që nga muaji Shtator, me dy lloje vaksinash që adresojnë BA.1 si dhe nënvariantet BA.4/5 të vëna në dispozicion së bashku me vaksinat ekzistuese të valës së parë.
Ndërkohë, situata në vendin tonë mbetet e qëndrueshme. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë ditën e djeshme, në total janë 390 qytetarë aktivë me Covid-19 në të gjithë vendin, ndërsa në spitalin Covid3 po marrin trajtim 5 pacientë./tvklan.al