UT-ja mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga Magna Charta Universitatum në Lodz të Polonisë

Universitetet dhe rindërtimi i qyteteve: Roli i kërkimit shkencor” ishte tema kryesore në konferencën e Magna Charta Universitatum, e cila u zhvillua në Universitetin e Lodz-it në Poloni, prej 22 deri më 25 tetor 2023, në të cilën mori pjesë edhe delegacioni nga Universiteti i Tetovës i kryesuar nga kryetari i Senatit i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prof. Dr. Agon Memeti – prorektor për shkencë, Doc. Dr. Sheruze Osmani Ballazhi- udhëheqëse e Zyrës për Evaluim dhe Menaxhim me Cilësinë dhe Mr. Sc. Donika Kamberi – drejtuese e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor në Universitetin e Tetovës.

Më datë 22 tetor, udhëheqësja e Zyrës për Evaluim, Doc. Dr. Sheruze Osmani Ballazhi, prezantoi projektin How to deal with bullying? Contribution of University of Tetova to community i cili u vlerësua si një nga 6 projektet më cilësore dhe me ndikim më të madh në komunitet, ndërkaq më datë 24 tetor udhëheqësit e Universitetit të Tetovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi meUniversitetin e Lodz-it dhe ndanë mirënjohje me sekretarin gjeneral të Observatorit Magna Charta Universitatum, z. David J. Lock, dhe rektoren e Universitetit të Lodz-it. znj. Elżbieta Żądzińska, e cila shprehu falënderime për Universitetin e Tetovës. Në shenjë respekti, kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dhe prorektori për shkencë, Prof. Dr . Agon Memeti, ia dhuruan sekretarit gjeneral të Observatorit portretin e Nënë Terezës, edicionin special të revistës Filologjia kushtuar Nënë Terezës dhe Logon e Universitetit të Tetovës.

Referuesit me famë ndërkombëtare ofruan ide dhe qasje të reja për zgjidhjen e sfidave me të cilat përballen universitetet në kohë krizash dhe luftërash, diskutime të cilat ishin të hapura për drejtuesit e universiteteve, studentët, politikëbërësit dhe aktorët e arsimit të lartë, ndërkaq theks të veçantë iu kushtua luftës në Ukrainë dhe sfidat me të cilat përballen studentët dhe stafi akademik.

Qëllimi kryesor ishte u mundësojë universiteteve u përgjigjen në mënyrë më efektive sfidave me të cilat përballen, si dhe të forcojë aftësinë e tyre për të mbështetur vlerat themelore në dobi të studentëve, shoqërisë dhe komuniteteve universitare, sidomos në raste vendimtare, kur kërkohet solidaritet global karshi agresioneve të tilla.

Në përfundim të konferencës, delegacioni i Universitetit të Tetovës u ofroi ndihmë të pakursyer studentëve të prekur nga lufta në Ukrainë. Këta të fundit u përfaqësuan nga zonjusha Polina Hombalevska – presidente e Shoqatës së Studentëve të Ukrainës, të cilës, Mr. Sc. Donika Kamberi, në cilësinë e drejtueses së Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, ia dhuroi portretin e nobelistes shqiptare, Nënë Tereza, dhe revistën shkencore Freedom.

Deri më sot, më shumë se 950 universitete në mbarë botën janë nënshkruese të Magna Charta Universitatum, duke përafruar kështu vlerat e autonomisë dhe lirisë akademike, promovimin e veprimtarive mësimore dhe kërkimore, brenda një kornize lirie dhe ndërveprimi mes kulturave të ndryshme.

Observatori Magna Charta çdo vit organizon një konferencë ndërkombëtare për të adresuar sfidat aktuale në ruajtjen e vlerave themelore, për t'i shërbyer shoqërisë me përgjegjësi dhe feston me një ceremoni, në të cilën shumë rektorë dhe përfaqësues të universiteteve e nënshkruajnë Magna Charta Universitatum.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share