Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me shoqatat “Qyteti i Bletëve” dhe “Mjalti i Pollogut”, i organizuan garat e IV-ta ndërkombëtare për kualitet të mjaltit “Tetovo Honey Awards 2022”.
Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi deklaroi se aktivitetet e këtilla për Universitetin tonë si institucion arsimor dhe shkencor duhet të përkrahen nga ministria dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjithashtu edhe ne si institucione arsimore dhe shkencore duhet ta bëjmë punën tonë, duke ndihmuar në kërkime të ndryshme shkencore në rritjen e rendimentit të prodhimeve, të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit, jo vetëm të prodhimit të mjaltit.
“Mendoj se, në bashkëpunim me Qeverinë, sidomos me Ministrinë e Bujqësisë, ne detyrimisht do të ndërtojmë politika për rritjen e rendimentit, rritjen e cilësisë dhe sigurisë ushqimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sepse edhe ministri tha se, ne nuk jemi në gjendje të konkurrojmë me teknologji të avancuar, por së paku me produkte ushqimore, sidomos të zonave tona të caktuara ku mund të jemi edhe prodhues të produkteve organike, të cilat sot janë shumë të kërkuara në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Ne këtë mund ta bëjmë, por gjithsesi duhet bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet politikëbërjes qeveritare dhe institucioneve shkencore, dhe kur bëhet gërshetimi i tyre besoj se edhe rezultatet do të jenë shumë më të mira dhe shumë më konkrete.
E falënderoj ministrin, zëvendësministrin, prorektorin dhe Dritanin që në këtë aktivitet u bashkuan dhe besoj se nga këto takime, me bashkim të ideve mund të dalim me rezultate konkrete”, tha dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi.
Kryetari i Shoqatës “Qyteti i Bletëve”, Driton Dikena, më tepër u ndal tek pjesa teknike e këtij aktiviteti. “Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë 260 bletarë nga 21 shtete të ndryshme, përfshirë edhe kontinentin e Australisë dhe Amerikës. Më vjen keq që ne nuk gjetëm metoda për t’iu përgjigjur bletarëve, sidomos nga shtetet afrikane dhe shtetet arabe, të cilët tentuan për të dërguar mostra, për të marrë pjesë në gara, mirëpo mënyra e dërgimit të mostrave është pak e komplikuar.
Ajo që më gëzon shumë është ajo se, ky manifestim tanimë filloi të futet edhe në veshin e institucioneve të shtetit dhe kemi edhe një mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, por kemi mbështetje teknike dhe infrastrukturore, veçanërisht nga Universiteti i Tetovës, më saktë nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, dhe unë besoj se po të mos ishte mbështetja e tyre, ky manifestimin nuk do të mund ta merrte atë siglën akademike të manifestimit. Kur bëj krahasim të mjaltave në garat e para dhe mjaltave në garat e katërta, ka një rritje të jashtëzakonshme të varietetit të mjaltit, jo vetëm nga aspekti i kualitetit por edhe nga aspekti i prezantimit.
Do të bëhem shumë i lumtur nëse 10% e bletarëve vazhdojnë që të punojnë në jetën e përditshme me këto standarde, atëherë thjesht mund të themi se mjalti i jonë i plotëson të gjitha standardet ndërkombëtare për sa i takon kualiteti të mjaltit”, u shpreh mes tjerash kryetari i Shoqatës “Qyteti i Bletëve”, Driton Dikena.
Në këtë aktivitet i pranishëm ishte edhe ministri i Bujqësisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljupço Nikollovski i cili tha se ky manifestim është ndër aktivitetet më të mëdha në rajon, aktivitet ky që vitet e ardhshme pritet të merr përmasa akoma më të mëdha.
“Sot, në këtë veprimtari, vlerësuesit e mjaltit do ta kenë mjaft të vështirë për ta vlerësuar cilësinë e mjaltit, sipas ngjyrës, shijes, pastërtisë, aromës, dhe më pas do të pasojnë edhe analizat laboratorike dhe më 1 tetor do të dihen edhe fituesit e çmimeve. Mua më bëhet shumë qejfi, pasi shihet qartë puna e dy organizatave, “Qyteti i Bletëve” dhe “Mjalti i Pollogut”, që e kanë si qëllim të vetëm promovimin e mjaltit të Maqedonisë se Veriut, si një ndër më kualitativët”, theksoi ministri i Bujqësisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljupço Nikollovski.
Garat ndërkombëtare për kualitet të mjaltit “Tetovo Honey Awards 2022” do të përfshijnë edhe ndarjen e disa çmimeve, si: Medalje e artë; Medalje e argjendtë; Medalje e bronzit dhe Çmimin “Bleta e artë”.