Forcat izraelite duket se janë tërhequr nga Xhenini dhe dy kampe të tjera të refugjatëve në Bregun e pushtuar Perëndimor, pas më shumë se një javë që kur ushtria kreu një operacion ushtarak, që la të vrarë dhjetëra perosna.
Izraeli thotë se bastisjet në shkallë të gjerë në Bregun Perëndimor synojnë shkatërrimin e grupeve militante dhe parandalimin e sulmeve. Ndërsa palestinezët druajnë për një zgjerim të luftës në Gazë.
Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor, në Bregun Perëndimor është rritur dhuna.
Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme në vitin 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen.
Tre milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit, ndërkaq Autoriteti Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi, ka kontroll të kufizuar në qendrat e populluara.
Më shumë se 500.000 kolonë hebre, që jetojnë në vendbanime të ndërtuara në mbarë territorin të cilat konsiderohen nga shumica e komunitetit ndërkombëtar si të paligjshme, kanë shtetësi izraelite.