UNESCO ka rekomanduar që Venecia të shtohet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik.
Sipas një raporti të UNESCO-s, qyteti ikonik italian është në rrezik të dëmtimit të pakthyeshëm nga turizmi dërrmuesk, mbizhvillimi dhe rritja e nivelit të detit për shkak të ndryshimeve klimatike. Agjencia synon të inkurajojë ruajtjen më të mirë të sitit të trashëgimisë për të ardhmen.
“Reuters” raporton se një zëdhënës i Venecias tha se ata do ta lexojnë me kujdes propozimin. Ata shtuan se më pas raporti do të diskutohet me qeverinë italiane.
Raporti i UNESCO-s thotë se autoritetet italiane kanë pasur mungesë të vizionit strategjik për të zgjidhur problemet me të cilat përballet një nga qytetet më piktoreske të Italisë. Kjo është një goditje për autoritetet, të cilët akuzohen se nuk mbrojnë qytetin historik dhe lagunën përreth.
Por një nga ish-kryetarët e bashkive të Venecias, Massimo Cacciari, ka akuzuar agjencinë ndërkombëtare të trashëgimisë duke thënë se UNESCO kalon “gjykim pa njohuri” dhe “jep opinione majtas dhe djathtas, të cilat do të bënim më të mirën t’i shpërfillnin”.
“Ata nuk na japin asnjë fond për të bërë ndryshime, gjithçka që bëjnë është kritika… Ne kemi nevojë për më shumë veprime dhe më pak fjalë.”
Futja e Venecias në listën e rrezikut ishte propozuar nga UNESCO rreth 2 vite më parë, por u shmang në momentin e fundit për shkak të disa masave emergjente të miratuara nga qeveria italiane. Një nga ato masa ishte vendimi për ndalimin e anijeve të mëdha, të tilla si anijet e lundrimit në Kanalin San Marco, si dhe premtimi për të nisur një plan ambicioz të ruajtjes së qytetit.
Raporti i UNESCO-s, mes të tjerash, thotë se autoriteteve që merren me emergjencën në qytet u mungon një strategji për të adresuar kërcënimin e ndryshimeve klimatike. Ndër të tjera, UNESCO beson se ndërtesat e larta mund të kanë një ndikim të rëndësishëm vizual negativ në qytet dhe ato duhet të ndërtohen larg qendrës së qytetit.
UNESCO liston 55 vende të Trashëgimisë Botërore globalisht si në rrezik, me 204 të tjera që po monitorohen në mënyrë aktive nga agjencia për shkak të kërcënimeve me të cilat përballen.
Venecia njihet si “La Serenissima”, që përkthehet “shumë i qetë”, por duket se ky pseudonim nuk i përshtatet më./tvklan.al