Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha të hënën se qeveria e vendit të tij synon që një takim i nivelit të lartë për paqen të mbahet deri në fund të shkurtit, një vit pasi filloi agresioni i Rusisë.
Ai tha në një intervistë për agjencinë Associated Press se Ukraina shpreson që takimi të mbahet në Kombet e Bashkuara dhe të ndërmjetësohet nga Sekretari i Përgjithshëm, António Guterres.
Ministri Kuleba tha se Rusia mund të ftohet në një takim të tillë vetëm nëse përballet fillimisht me një gjykatë për krimet e luftës.
“Ideja e formulës së paqes synon të mos lejohet Rusia të manipulojnë çështjen e paqes sepse ata po thonë rregullisht se janë të gatshëm për negociata, gjë që nuk është e vërtetë, sepse çdo gjë që po bëjnë në fushën e betejës dëshmon të kundërtën. Ata nuk po kërkojnë paqe”, tha zoti Kuleba.
Në komente për televizionin shtetëror rus të dielën Vladimir Putini pohoi se vendi i tij është i gatshëm për bisedime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por sugjeroi se ukrainasit janë ata që refuzojnë të ndërmarrin atë hap.
Pavarësisht komenteve të presidentit rus, forcat e Moskës kanë vazhduar të sulmojnë Ukrainën – një shenjë se paqja nuk është e afërt.
Në intervistën për agjencinë AP, zoti Kuleba tha se Ukraina do të bëjë gjithçka që mundet për të fituar luftën në 2023, duke shtuar se diplomacia luan gjithmonë një rol të rëndësishëm.
“Çdo luftë përfundon në mënyrë diplomatike. Çdo luftë përfundon si rezultat i veprimeve të ndërmarra në fushën e betejës dhe në tryezën e bisedimeve. Por bilanci i asaj që do të fitohet në fushën e betejës dhe asaj që do të fitohet në tryezë, mbetet për t’u parë.”
Më 12 dhjetor, presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se Ukraina planifikonte të ndërmerrte nismën për një takim paqeje të nivelit të lartë në vitin 2023.
Në takimin e Grupit të 20-es në Bali në nëntor, zoti Zelenskyy paraqiti një formulë paqeje prej 10 pikash që përfshin rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës, tërheqjen e trupave ruse, lirimin e të gjithë të burgosurve, një gjykatë për ata që janë përgjegjës për agresionin dhe garanci sigurie për Ukrainën.
I pyetur nëse do ta ftonin Rusinë në atë takim, ai tha se Moska së pari do të duhej të përballej me ndjekjen penale për krime lufte në një gjykatë ndërkombëtare.
“Vetëm në këtë mënyrë, ata mund të ftohen në këtë nismë”, tha zoti Kuleba. /VOA