Ukraina rrëzon 13 drone iraniane në Kiev

Sulmi ndodhi në qendër të kryeqytetit por pa viktima, Papa Françesku bëri thirrje që dhuratat e Krishtlindjeve t’u dërgohen ukrainasve

Forcat ukrainase rrëzuan 13 dronë iranian mbi kryeqytetin Kiev dhe dy ndërtesa u dëmtuan. Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko tha se dronët Shahed të prodhuar nga Irani u rrëzuan dhe u raportua për shpërthime në rrethin qendror Shevchenkivskyi por fatmirësisht pa viktima.

Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës bëri të ditur se sulmi ishte planifikuar qëllimisht kur ishte errësirë ​​për ta bërë më të vështirë rrëzimin e dronëve, por sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase kishin qenë efektive në rrëzimin e tyre. Asnjë objekt i infrastrukturës energjetike nuk u dëmtua.

Ukraina ka marrë tashmë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot nga Perëndimi e nga Shtetet e Bashkuara të cilat konsiderohen si më të avancuarat. Sistemi Patriot do të ndihmonte Ukrainën të mbrohej kundër valëve të sulmeve ruse me raketa dhe dron që kanë goditur infrastrukturën energjetike të vendit.

Në Paris, rreth 70 vende dhe institucione u zotuan për më shumë se 1 miliard euro dollarë për të ndihmuar Ukrainën që të përballojë dimrin përfshirë këtu ujin e pijëshëm, rezerva ushqimore energji, dhe transportin e njerzve në rast sulmesh. Papa Françesku u bëri thirrje njerëzve që të shpenzojnë më pak për festimet dhe dhuratat e Krishtlindjeve këtë vit dhe t’ua dërgojnë ukrainasve për t’i ndihmuar ata të kalojnë urinë dhe të ftohtin e dimrit.

“Do të doja të tërhiqja pak vëmendjen te këto Krishtlindje që po vijnë dhe festimet. Është bukur të festosh Krishtlindjet, por le të ulim nivelin e shpenzimeve për Krishtlindje. Le të kemi një Krishtlindje më të përulur, me dhurata më të përulura dhe t’ia dërgojmë atë që kursejmë popullit ukrainas, i cili ka nevojë për të. Ata po vuajnë aq shumë, janë të uritur, ndjejnë të ftohtin dhe shumë po vdesin sepse nuk ka mjaft mjekë dhe infermierë në dispozicion”, ka thënë Papa Francesku.

Një tjetër përpjekje për paqe dështoi. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje në fillim të kësaj jave Rusisë që të fillojë tërheqjen e trupave të saj nga vendi i tij deri në Krishtlindje, si hapi i parë drejt një marrëveshjeje paqeje në konfliktin, i cili ka vazhduar për gati 10 muaj, por Kremlini e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share