Ukraina rimerr territoret në rajonin e Kharkivit

AGJENCIA NDËRKOMBËTARE E ENERGJISË ATOMIKE KA KËRKUAR TË KRIJOHET NJË ZONE SIGURIE NË TERMOCENTRAL

Ushtria ukrainase ka korrur fitore duke rimarë disa prej territoreve në qytetin e dytë më të madh Kharkiv. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një fjalim u shpreh se forcat e Kievit kishin çliruar më shumë se 30 vendbanime ndërsa beteja mbetet e vështirë në rajonin lindor të Donbasit dhe në jug. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka bërë të ditur se kushtet në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia janë gjithnjë e më të pasigurta dhe se një zonë sigurie rreth tij duhet të krijohet menjëherë për të parandaluar një aksident bërthamor.

Forcat ukrainase kanë rimarë disa territore në Kharkiv qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Pas më shumë se gjashtë muajsh luftime ata tanimë kanë përparuar në lindje të vendit më shpejt nga sa pritej.

Sipas ekspertëve marrja e disa prej territoreve më të rëndësishëm që dikur mbaheshin nga Rusia tanimë janë kapur nga ukrainasit një përparim që mund të shënojë kështu një pikë kthese në luftë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një fjalim u shpreh se forcat e Kievit kishin çliruar më shumë se 30 vendbanime në rajonin e Kharkiv ndërsa luftimet vazhduan në rajonin lindor të Donbasit dhe në jug.

“Ushtria jonë, njësitë e inteligjencës dhe shërbimet e sigurisë po kryejnë angazhime aktive në disa zona operative. Ata po e bëjnë këtë me sukses,” tha ai në një video. Reuters raporton se në qytetin Izium kanë nisur evakuuimet e civilëve për shkak të bombardimeve të vazhdueshme. Zyrtarët ukrainas publikuan video që shfaqin ushtarë duke ngritur flamuj dhe duke pozuar përpara tabelave të rrugëve në fshatra dhe qytete në një pjesë të territorit të mbajtur më parë nga Rusia.

Rusia ka marrë kontrollin e rreth një të pestës së Ukrainës që kur trupat e saj pushtuan më 24 shkurt në atë që Moska e quan një “operacion special ushtarak” për “çarmatosjen” e Ukrainës.

Analistët ushtarakë perëndimorë thanë se përparimi mund të mbyllë linjat e furnizimit në të cilat Moska është mbështetur. Përparime të tilla të shpejta kanë qenë kryesisht të padëgjuara që kur Rusia braktisi sulmin e saj në Kiev në mars, duke e zhvendosur luftën kryesisht përgjatë vijave të forta të frontit.

Ukrainasit depërtuan në lindje një javë pasi Kievi njoftoi fillimin e një kundërsulmimi të shumëpritur qindra kilometra larg në skajin tjetër të vijës së frontit, në provincën jugore të Kherson. Zyrtarët ukrainas thanë se Rusia zhvendosi mijëra trupa në jug për t’iu përgjigjur përparimit të Khersonit, duke lënë të ekspozuara pjesë të tjera të vijës së frontit. Agjencia ruse RIA citoi autoritetet e Khersonit të emëruar nga Rusia të kenë thënë se disa trupa ukrainase u kapën dhe disa tanke polake që po përdornin u shkatërruan. Ndërkaq Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka bërë të ditur se kushtet në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës janë gjithnjë e më të pasigurta dhe se një zonë sigurie rreth tij duhet të krijohet menjëherë për të parandaluar një aksident bërthamor.

GAZETARE: LIVIA KALLFA

PAMJET: REUTERS

Lexo gjithashtu
Total
0
Share