NATO: Ukraina ka nevojë për armë, jo për flamuj të bardhë
Presidenti Volodymyr Zelenskiy një intervistë me televizionin francez BFM ka bërë të ditur se situata përgjatë frontit të luftës së Ukrainës me Rusinë është më e mira që ka qenë në tre muaj fundit, edhe pas tërheqjes nga Avdiivka.
Sipas tij Ukraina kishte përmirësuar pozicionin e saj strategjik pavarësisht mungesës së armatimit, por sugjeroi se situata mund të ndryshojë përsëri nëse nuk do të vijnë furnizime të reja.
“Situata është shumë më e mirë se sa ka qenë. Kemi pasur disa vështirësi për shkak të mungesës së predhave, bllokadës ajrore, armëve ruse me rreze të gjatë dhe intensitetit të madh të sulmeve me dron ruse. Ne kemi punuar në mënyrë shumë efikase kundër aviacionit rus. Jemi rikuperuar në situatën tonë në lindje. Përparimi i trupave ruse është ndalur.”
Zelenskiy tha se forcat ukrainase kishin rrëzuar një numër të madh dronesh rusë dhe vazhdojnë të përballen në në mënyrë të fortë në Detin e Zi, ku objektivat ushtarake ruse janë nën sulm të përsëritur.
Ndërkaq në përgjigje të thirrjes së Papës, Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg e bëri të qartë se ai nuk ishte dakord me Atin e Shenjtë se Ukraina duhet të ketë “guximin e flamurit të bardhë” dhe të negociojë një fund të luftës së shkaktuar nga pushtimi rus.
“Kjo luftë mund të përfundojë në thelb në tre mënyra: Presidenti rus Vladimir Putin mund të ndalojë së sulmuari një fqinj dhe pastaj ne kemi paqe. Ukraina mund të ndalojë së mbrojturi veten, por atëherë ne kemi dorëzim dhe dorëzimi nuk është paqe. Mënyra e tretë është të kemi një lloj zgjidhjeje të negociuar ku Ukraina mbizotëron si një komb Sovran. Pra, e vetmja mënyrë është mbështetja ushtarake për Ukrainën, sepse ajo që ndodh rreth tryezës së bisedimeve është e lidhur pazgjidhshmërisht me forcën në fushën e betejës, pra nuk është koha për të folur për dorëzim, kjo do të ishte një tragjedi për ukrainasit.”
Por pas thirrjes së Papa Françeskut, Vatikani u tërhoq dhe i kërkoi Moskës që së pari të ndalojë luftimet duke e quajtur vendin “agresor” dhe luftën në Ukrainë “të padrejtë”. Mes të tjerash në fushën e betejës Ukraina goditi objektivat në të gjithë Rusinë me të paktën 25 dronë dhe nëntë raketa, duke dëmtuar një rafineri nafte të madhe në eksportuesin e dytë më të madh të naftës në botë.
Klan News