Sezoni 2023-2024 është gati për të nisur dhe UEFA ka llogaritur tashmë të ardhurat dhe shifrat që do të shpërndahen mes klubeve që do të marrin pjesë në kompeticionet e saj. Të ardhurat bruto të Champions League, Europa League, Conference League dhe SuperKupës Europiane 2023 vlerësohen me 3.5 miliardë euro për sezonin e ri. Por nga kjo shifër do të ketë disa zbritje, që lidhen me mbulimin e kostove organizative në lidhje me garat. 3% e kësaj shume, rreth 105 milionë euro do të shkojnë për raundin kualifikues, ku përfitojnë edhe klubet e Superligës shqiptare. Ndërkaq, përfitime do të ketë edhe për klubet që nuk marrin pjesë, me fondin që kap vlerën e 140 milionë eurove, ndërsa 10 milionë euro do të shkojnë për Champions League e femrave.
Nga të ardhurat neto prej 2,92 miliardë euro, 6,5% do të rezervohen për futbollin evropian, pra 190 milionë euro, dhe 93,5% e mbetur do t’u shpërndahet klubeve pjesëmarrëse. Prandaj, bazuar në parashikimet, shuma totale e disponueshme për shpërndarje për klubet pjesëmarrëse në 2023/24 është 2,73 miliardë euro, nga të cilat 2,03 miliardë euro do t’u shpërndahen klubeve pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e UEFA-s, 465 milionë euro do të shpërndahen klubeve pjesëmarrëse në UEFA Europa League dhe 235 milionë euro do t’u shpërndahen klubeve pjesëmarrëse në Ligën e Konferencave. Prandaj, UEFA do të shpërndajë afërsisht 78% të të ardhurave të saj (2.73 miliardë euro) për klubet që do të marrin pjesë në fazën e grupeve të tre garave: 7% të tjera do t’u shpërndahen klubeve mes atyre që do të eliminohen në raundet kualifikuese.