Pipëzat prej kartoni nuk janë më të mira për mjedisin se sa ato plastike pasi mund të shkaktojnë dëme në shëndet.
Sipas një studimi të ri, të publikuar në “Food Additives and Contaminants” përmbajnë kimikate që duan mijëra vite të shpërbëhen dhe lidhen me sëmundjen e kancerit, tiroideve dhe mëlçisë.
Kërkuesit studiuan 39 firma të ndryshme pipëzash dhe zbuluan se 90% e atyre që janë të përbëra nga kartoni përmbanin substanca të njohura si poli dhe perfluroalkil (PFAS). Këto kimikate gjendeshin në pjesën më të madhe të firmave të testuara dhe më së shumti tek ato prej kartoni e bambuje.
Të vetmet pipëza që nuk përmbanin PFAS ishin prej çeliku.
PFAS janë të rrezikshme për njerëzit, jetën e egër dhe mjedisin. Ato shpërbëhen ngadalë në një proces që zgjat mijëra vjet dhe problemet që shkaktojnë në shëndet është përgjigje e reduktuar ndaj vaksinave, më pak peshë te foshnjat e sapolindura, probleme në tiroide, rritje të nivelit të kolesterolit, dëmtim të mëlçisë, kancer në veshka e testikuj.
Këto substanca përdoren në prodhimin e artikujve të përditshmërisë si veshjet, tiganët që nuk ngjisin të cilët janë rezistentë ndaj ujit, nxehtësisë dhe njollave.
Disa vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika kanë ndaluar plotësisht përdorimin e pipëzave plastike dhe alternativat më të njohura janë ato që prodhohen nga bimët.
Pavarësisht përqindjes së vogël të PFAS që ndodhet në pipëza, mbetjet e tyre mund të grumbullohen përgjatë viteve dhe të shtojnë ngarkesën e kimikateve në organizëm./tvklan.al