Pesë futbollistët e Holandës që munguan në humbjen 0:4 nga Franca të premten, dyshohet se u helmuan nga ushqimi.
Cody Gakpo, Sven Botman, Matthijs de Ligt, Joey Veerman e Bart Verbruggen u larguan nga kampi stërvitor i ekipit të Ronald Koeman pasi ndien dhimbje dhe çrregullime në stomak para ndeshjes së parë kualifikuese të Euro 2024.
Nënkampionët e botës fituan falë golave të Antoine Griezman, Dayot Upamecano dhe dy herë Kylian Mbappe.
E trajneri Koeman ishte pa lojtarët Frenkie de Jong, Steven Bergwijn, Teun Koopmeiners e Andries Noppert, shkaku i lëndimit, para se virusi ta përfshinte kampin holandez.
Denzel Dumfries mungoi po ashtu shkaku i suspendimit.
Sipas mediumit holandez “De Telegraaf”, “chicken curry”, që e hëngrën lojtarët të mërkurën mbrëma, dy net para përballjes në “Stade de France” me “Les Bleus”, ishte i dyshimtë, përcjell “Gazeta Express”.
Holanda do të mundohet ta marrë veten të hënën kur do ta presë Gjibraltarin.
Trajneri Koeman do të shpresojë që lojtarët e tij të sëmurë dhe të lënduar të mund të kthehen sa më shpejtë të jetë e mundur, ndërsa Holanda do ta zhvillojë ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kombeve kundër Kroacisë në muajin qershor.
Një fitore eventuale do t’i shihte “Tulipanët” në finale me Spanjën ose me Italinë.