Një 48 vjeçar nga Kumanova ka arritur që brenda një dite të arratiset nga burgu e më pas duke u kanosur me armë zjarri ndaj punonjësit të një bastoreje, ka arritur të grabisë afër 10 mijë euro nga arka. Më tej e ka mbyllur me çelës punëtorin e bastores e në përpjekje për t’u larguar, pranë bastores që e grabiti është kapur sërish nga policët, informon Klan Macedonia.
“I dënuari është arratisur nga INK ‘Idrizovë’, ku është dashur të vuajë dënimin me burg që nga janari i vitit 2027. Më pas ka ardhur në një lokal bastesh në lagjen Maxhari, ka hyrë në objekt dhe i është afruar nga pas shpine punonjësit. Ai e ka kërcënuar me armë dhe e ka detyruar të nxjerrë paratë nga kasaforta dhe t’i fusë në një qese plastike të zezë. Vetë i dyshuari ka vazhduar të kontrollojë sirtarët ku ka gjetur më shumë para dhe i ka futur në çantë. Në këtë mënyrë i dyshuari ka kryer vepër penale – Grabitje nga neni 237 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal dhe ka fituar dobi pasurore kundërligjore prej 593.525 denarë”, thonë nga Prokuroria.
Edhe pse bëhet fjalë për një të dënuar në vuajtje të dënimit me burg, sipas PTHP-së, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje, ndërsa ka rrethana të veçanta që tregojnë se i dyshuari do të pengojë procedurën penale duke ndikuar mbi dëshmitarët, bashkëpunëtorët. Kështu siç përcjell KlanM, arsyetohet frika se i dyshuari do të përsërisë apo do të kryejë një krim të ri. Për këto arsye prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit./KlanMacedonia