Erdogan pranon propozimin e Putinit
Para deputetëve të partisë së tij në Ankara, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pranoi publikisht ofertën e Vladimir Putinit të Rusisë, që Turqia të shndërrohet në qendër të shpërndarjes së gazit rus.
“Ne do të krijojmë një qendër këtu për gazin turk që vjen nga Rusia, për ta shpërndarë nëpër Europë, ashtu siç ai tha herën e kaluar”.
Ofertën, Putin ia bëri javën e kaluar gjatë takimit që pati në Astana, ku Erdogan pritej të ofronte ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, por në fakt takimi u fokusua vetëm tek kriza e gazit. Aktualisht, Turqia shërben si vend tranziti për gazin rus, përmes tubacionit “Turkstream” që e transporton drejt vendeve të tjera europiane si Bullgaria, Serbia e Hungaria.
Por Moska synon që duke zgjeruar infrastrukturën e këtij vendi, ta kalojë nga Turqia që e konsideron si partnerin më të sigurt të momentin për gazin, sasinë që transportohet me vështirësi përmes Ukrainës, apo tubacioneve Nordstream. E duke qenë se Rusia po përballet me sanksione që prekin edhe sektorin energjetik, plani i Putinit është që çmimi i gazit rus për Europën të përcaktohet në Turqi.
Tv Klan