Samiti i G20 hapet në Bali me një lutje për unitet

Rishi Sunak: Ndryshimi i vetëm më i madh është që Rusia të largohet nga Ukraina

Samiti i G20 u hap në Bali me një lutje për unitet, ndërsa lufta në Ukrainë është në krye të agjendës së diskutimeve.

Shumica e vendeve pjesëmarrëse dënojnë fuqishëm pushtimin e Ukrainës. Agjencia Reuters citon këtë qëndrim nga një draft deklaratë e përbashkët që pritet të dalë nga ky takim. Por paraprakisht duket se nuk ka një mbështetje unanime.

Lufta “po shkakton vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore dhe po përkeqëson brishtësinë ekzistuese në ekonominë globale”, thotë deklarata, ku është evidentuar edhe fakti se ka patur pikëpamje të ndryshme për situatën dhe sanksionet.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u tha udhëheqësve të kombeve më të pasura të botës se tani ishte koha për të ndaluar luftën e Rusisë në vendin e tij sipas një plani paqeje që ai ka propozuar. Zelenskiy u shpreh se lufta duhet të përfundojë drejtësisht në bazë të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar.

“Ukraina ka qenë gjithmonë një lider në përpjekjet paqeruajtëse dhe bota e ka parë këtë. Nëse Rusia thotë se gjoja se dëshiron t’i japë fund kësaj lufte, le ta vërtetojë me veprime. Ne nuk do të lejojmë Rusinë të presë, të vendosë forcat e saj dhe më pas të fillojë një seri të re terrori dhe destabilizimi global. Nuk do të ketë Minsk-3, të cilin Rusia do ta shkelë menjëherë pas marrëveshjes. Ekziston një formulë ukrainase, paqe për Ukrainën, Evropën dhe botën”, deklaroi Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas bëri thirrje për rivendosjen e sigurisë nga rrezatimi në lidhje me termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, kufizimet e çmimeve në burimet ruse të energjisë dhe zgjerimin e një nisme për eksportin e grurit. Ai gjithashtu bëri thirrje që të gjithë të burgosurit ukrainas të lirohen.

Ndërkaq edhe kryeministri i ri i Britanisë, Rishi Sunak e përdori fjalimin e tij për të dënuar vrasjen e civilëve. Ai u shpreh se ndryshimi i vetëm më i madh që dikush mund të bëjë është që Rusia të largohet nga Ukraina dhe t’i japë fund kësaj lufte barbare.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel bëri thirrje që të gjithë partnerët e G20 të bëjnë më shumë presion mbi Rusinë” dhe kritikoi Moskën për duke shkaktuar një krizë globale të energjisë dhe ushqimit.  Në kuadër të samitit Presidenti i SHBA Joe Biden  u takua me Presidentin e Turqisë Tajip Erdogan. Biden falenderoi presidentin turk për ndërmjetësimin e marrveshjes për eksportet e grurit ukrainas në korrik të këtij viti si dhe i shprehu ngushëllimet për sulmin me bombë në Stamboll në fundjavë në Ankara.

Përgatiti: Livia Kallfa

PAMJET: REUTERS

Lexo gjithashtu
Total
0
Share