Fundjava më e nxehtë në Greqi në 5 dekada
Armiqësitë shuhen në raste katastrofash dhe sërish shembull për këtë bëhen Greqia dhe Turqia. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan urdhëroi dërgimin në Greqi mjete për shuarjen e flakëve, ndër të cilët 2 avionë dhe një helikopter.
Për këtë përmes një postimi në Twitter, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i shprehu mirënjohjen presidentit turk me të cilin tensionet i ka pasur të larta muajt e fundit për shkak të mosmarrëveshjeve rajonale.
“Mirënjohja jonë i shkon Turqisë për dërgimin e dy avionëve dhe një helikopteri për të na ndihmuar në luftën kundër zjarreve në pyje. Faleminderit Turqi”, tha Mitsotakis.
Vala e të nxehtit përvëlues ka ushqyer me dhjetëra vatra masive zjarri në gjithë vendin, kryesisht përreth kryeqytetit. Më e madhja aktualisht është ajo në Rodos, të cilën zjarrfikësit nuk po e venë dot nën kontroll prej 5 ditësh.
Kjo është fundjava më e nxehtë me të cilën Greqia përballet në 5 dekadat e fundit. Si masë për shmangien e viktimave, veç mbylljes së siteve arkeologjike, qeveria ka vendosur të kufizojë oraret e punës gjatë orëve të kulmit të vapës dhe të rekomandojë punën nga shtëpia si gjatë periudhës së pandemisë.
Tv Klan