Trump shumë afër fitores në garën republikane

Tërhiqet nga zgjedhjet presidenciale guvernatori Ron DeSantis, rivalja e vetme mbetet Nikki Haley

Një nga kandidatët republikanë që konsiderohej si fitues potencial përballë Donald Trump në zgjedhjet presidenciale, Ron DeSantis la në mes garën brenda partisë. 45-vjeçari e dha njoftimin në median sociale X, ku postoi edhe një video mbështetëse ndaj Trump. Ron DeSantis ishte parë një pretendent kryesor për emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit 2024 dhe pasues i natyrshëm i zotit Trump, falë stilit të tij luftarak dhe pikëpamjeve thellësisht konservatore.

Në fillim të vitit 2023, ai kryesoi në disa sondazhe ndaj ish-presidentit Trump. Por mbështetja ndaj guvernatorit të Floridës ka rënë prej disa muajsh, për shkak të një strategjie të gabuar gjatë fushatës, pamundësisë për të krijuar një lidhje me votuesit dhe mbështetjes së palëkundur të bazës republikane ndaj zotit Trump. Ndërprerja e fushatës nga ana e zotit DeSantis, do të thotë që ish-ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, është tani republikania e fundit në garë që ka një shans, megjithëse jo shumë realist, për t’i mohuar ish-presidentit Trump emërimin republikan.

Pas këtij lajmi, ish-presidenti Donald Trump u duk i kënaqur, teksa u shfaq në një takim elektoral në New Hampshire.

“Një nga kundërshtarët tanë, një person shumë i aftë u largua nga gara, Ron DeSantis. Duke bërë këtë, ai na mbështeti.”

Trump tha se mezi priste të punonte me guvernatorin DeSantis për të mposhtur Presidentin Joe Biden. Nga ana e saj edhe kandidatja Nikki Haley pasi shprehu konsideratat për Ron DeSanstis tha se ishte gati të shkruante histori si presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara. Sipas sondazheve, Trump ka një epërsi dyshifrore ndaj Haley-t në New Hampshire dhe ekipi i tij elektoral beson në një fitore të pashmangshme brenda republikanëve. Fituesi i garës që tashmë mbetet të ndahet mes Donald Trump dhe Nikki Haley do të përballet me Presidentin Joe Biden, kandidatin e mundshëm demokrat, në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share