Ndizet fushata për presidencialet amerikane
Edhe pse zgjedhjet paraprake për presidencialet në Shtetet e Bashkuara përfundojnë në Qershor, demokratët dhe republikanët po i bëjnë llogaritë sikur gjithçka të jetë vendosur. Donald Trump ftoi në debat publik kokë më kokë Joe Bidenin, përballje që zakonisht ndodh pas zyrtarizimit të kandidaturave të tyre në Shtator kur nis fushata elektorale.
Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë shkroi në rrjetin e tij personal social Truth se një debat me Bidenin është shumë i nevojshëm për popullin amerikan, për çështje që tashmë janë jetike për vendin.
Stafi i presidentit aktual u përgjigj duke thënë se kjo çështje do të diskutohet kur të jetë momenti i duhur. Megjithatë, përballjet mes tyre nuk janë tabu. Trump dhe Biden janë përballur 2 herë në debat televiziv kokë më kokë në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të Nëntorit 2020.
Tv Klan