Trump nuk kursen sulmet personale ndaj Harris! Ajo nuk ka mbajtur asnjë konferencë shtypi dhe nuk ka dhënë intervista…

Ish-Presidenti Donald Trump mban të enjten një konferencë shtypi në klubin e tij të golfit në New Jersey, e dyta brenda disa ditësh, ndërsa përballet me një fushatë elektorale demokrate të ripërtërirë përpara fillimit të Kuvendit Kombëtar Demokrat javën e ardhshme.

Trump e ka kritikuar Nënpresidenten Kamala Harris se nuk ka mbajtur asnjë konferencë shtypi dhe nuk ka dhënë intervista, që kur Presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara për një mandat të dytë dhe mbështeti zonjën Harris si kandidate të demokratëve për ta zëvendësuar atë.

Nënpresidentja Harris nuk ka komunikuar shpesh me gazetarët që kur u bë kandidate, megjithëse ndonjëherë u është përgjigjur pyetjeve që i bëhen nga gazetarët që udhëtojnë me të gjatë fushatës.

Në një shkëmbim të shkurtër javën e kaluar, ajo u tha gazetarëve se shpresonte të jepte intervista brenda muajit.

Të mërkurën në një tubim në Karolinën e Veriut, Presidenti Trump doli shpesh nga tema kryesore që ishte ekonomia. Ekipi i tij kishte paralajmëruar një fjalim të rëndësishëm mbi këtë çështje. Trump premtoi uljen e çmimeve të energjisë dhe rritjen e mirëqenies, por gjithashtu doli shpesh nga skenari duke bërë sulme personale ndaj zonjës Harris.

Ai shprehu përsëri zhgënjim që demokratët caktuan si kandidate nënpresidenten, për të zëvendësuar zotin Biden.

Një sondazh i fundit nga agjencia e lajmeve Associated Press në bashkëpunim me qendrën NORC, Qendra për Kërkimet e Çështjeve Publike, arrin në përfundimin se amerikanët kanë më shumë gjasa t’i besojnë Trump sesa zonjës Harris për çështje si ekonomia dhe imigracionit, të cilat ai i ka vënë në qendër të mesazhit të tij të fushatës.

Në deklaratën lëshuar përpara tubimit të zotit Trump në Karolinën e Veriut, zëdhënësi i fushatës së zonjës Harris Michael Tyler, e akuzoi Trump se nuk mbron interesat e klasës së mesme.

Nënpresidentja Harris shkon të premten në Karolinën e Veriut, ku do të flasë për politikën e saj ekonomike që parashikon uljen “e kostove për familjet e klasës së mesme”, tha një zyrtar i ekipit të saj.

Sipas sondazheve, Trump ka një epërsi të lehtë në Karolinën e Veriut, megjithëse zonja Harris është shumë pranë tij./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share