Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, Cvetan Tripunovski, në preskonferencën për media njoftoi se se do të publikoj para opinionit të gjitha rastet dhe aferat e dyshimta nga udhëheqja e mëparshme e ministrisë. Ai sot publikoi dy rastet e para, nga gjithsej 5 rastet e keqpërdorimit të parave të shtetit, të cilat sipas tij, kanë ndodhur gjatë kohës kur me këtë institucion ka udhëhur Ljupço Nikollovski nga LSDM. Ministri njoftoi se bëhet fjalë për dy subjekte juridike që kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 765 mijë euro. Tripunovski ftoi institucionet kompetente të punojnë në zbardhjen e plotë të këtyre rasteve.
”Rasti i parë që dua ta publikoj ka të bëjë me personin juridik AREKSPORT DOOEL Import – Export nga Strumica. Përmes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, këtij subjekti juridik i është lejuar që në mënyrë të kundërligjshme të marrë deri në 30 milionë denarë për subvencione. Pas inspektimit të kryer nga Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë, u konstatua se për 11 marrëveshje me sipërfaqe prej 941 hektarësh, nga qiramarrësi nuk janë respektuar dispozitat e Marrëveshjes dhe është dashur të ndërpriten. Në bazë të këtyre kontratave, qiramarrësi nga Agjencia për Mbështetje Financiare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ka realizuar të hyra prej 485 mijë euro në bazë të subvencioneve. Gjithashtu, inspektorët kanë konstatuar se qiramarrësi nuk ka paguar qiranë për vitin 2022 dhe 2023, gjë që i ka shkaktuar dëme shtesë buxhetit në shumë prej 60 mijë euro” – tha Cvetan Tripunovski, ministër i Bujqësisë.
I mënjëhershëm ka qenë reagimi i ish-ministrit të Bujqësisë, Ljupço Nikolovski, i cili mohon akuzat e Tripunovskit.
LJUPÇO NIKOLLOVSKI – ISH MINISTËR I BUJQËSISË
”E rekomandoj ministrin që fillimisht të njihet me procedurat dhe kompetencat e organeve në përbërjen e tij, përpara se të më hedhë akuza boshe, në përpjekje për të krijuar teatër para publikut dhe për të mbuluar mungesën e ideve dhe paaftësisë së qeveria pjesë e së cilës ai është. U bëj thirrje institucioneve kompetente që të veprojnë në përputhje me të gjitha pikat e shprehura në konferencën e sotme për media. Mandati im ministror njihet si një nga më transparentët, gjë që vërtetohet nga fakti se në drejtimin tim MBPU u shpall institucioni më transparent dhe një nga institucionet me integritetin më të lartë” – tha Ljupço Nikollovski, ish ministër i Bujqësisë.
Nikollovski në reagimin e tij shton se në Ministrinë e Bujqësisë ka më shumë se 11 mijë kontrata qiraje toke dhe asnjë ministër nuk mund ta dijë se çfarë po ndodh me secilën kontratë individuale, ndaj ka njësi organizative të ngarkuara për menaxhimin e këtyre kontratave.
Sipas tij, nëse konstatohet se një subjekt i caktuar ka përfituar subvencione në mënyrë të parregullt, ftoj institucionet që të nisin procedurë për kthimin e mjeteve të paguara dhe të nisin procedurë pranë organeve kompetente. /tvklan.mk/