I dërguari i posaçëm i DASH-it për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë kësaj jave do të qëndrojë në Kosovë e Serbi për të mbështetur procesin e dialogut.
Vizitën e Gabriel Escobar në rajon, përfshirë ardhjen në Prishtinë, e ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme për Gazetën Online Reporteri.net, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Escobar sot do të qëndrojë në Serbi, ndërsa gjatë javës do të jetë për vizitë zyrtare edhe në Kosovë.
Në Beograd, Gabriel Escobar do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ndërsa Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se emisari amerikan do të zhvillojë takim në Prishtinë edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan vjen pak ditë para takimit të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, mes palës kosovare dhe asaj serbe, me ftesë të Shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Emisari amerikan, Gabriel Escobar do të qëndrojë në Ohër më 18 mars ku dhe parashihet të zhvillohet takimi Kurti-Vuçiq për të arritur marrëveshjen e zbatimit të planit evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Escobar vjen në Kosovë pak ditë pas vizitës zyrtare në Prishtinë të Miroslav Lajçak, të dërguarit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Pasi ka marrë përshtypjet nga të dy palët, nga Kurti e Vuçiqi, Lajçak deklaroi se është i gatshëm t’i finalizojë përgatitjet për takimin e rëndësishëm të nivelit të lartë, në Maqedoni të Veriut, që pason atë të mbajtur në Bruksel, më 27 shkurt.
“Pasi kemi marrë komentet nga të dyja palët, tani do të finalizojmë përgatitjet tona përpara takimit në Ohër të shtunën”, theksoi emisari Miroslav Lajçak, pas takimit me Vuçiqin në Beograd.
Para se të shkonte në Beograd, Lajçak fillimisht u ndal në Kosovë, në një takim me kryeministrin Albin Kurti, të enjten.