Të paktën tre persona, përfshirë edhe të dyshuarin, u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën gjatë të shtënave në një shkollë të mesme në Shën Luis të Misurit.
Sulmuesi hyri në shkollën e mesme të arteve vizuale dhe performuese pak pas orës 09:00 sipas kohës lokale më 24 tetor.
Dyert e shkollës ishin të mbyllura dhe nuk është e qartë se si sulmuesi hyri në objekt.
Dëshmitarët thanë se shumë persona shpëtuan pasi sulmuesit iu bllokua arma në mes të sulmit.
Autoritetet thanë se policia amerikane “shumë shpejt e ndali” sulmuesin.
I dyshuari, i identifikuar si policia si një 19-vjeçar, ish-nxënës i kësaj shkolle, shkëmbeu zjarr me policinë dhe më pas vdiq nga plagët e marra.
Ende është e paqartë se cili ishte motivi i sulmit në shkollën ku ndjekin mësimet afër 400 nxënës.
Policia tha se një vajzë adoleshente vdiq brenda shkollës dhe një grua më pas ndërroi jetë në spital.
Shtatë të plagosurit – tri vajza dhe katër djem – janë jashtë rrezikut për jetë, raportuan mediat lokale.
Nxënësit nisën të iknin nga shkolla, kur policia arriti në vendin e ngjarjes dhe sulmuesi kishte “një armë të gjatë”, tha shefi i policisë së qytetit, Michael Sack.
Ai tha se pak pas nisjes së sulmit, punëtorët e sigurisë së shkollës vepruan shpejt dhe njoftuan stafin e shkollës, të cilët më pas thirrën policinë.
Sulmuesit iu gjetën qindra fishekë, tha Sack, duke shtuar se “kjo ngjarje mund të përfundonte edhe më keq”.
“Kjo është një ngjarje e tmerrshme për të gjithë ne”, tha ai dhe shtoi se agjentët e FBI-së po ndihmojnë në hetimin e ngjarjes.
Policia tha se sulmuesi kishte përfunduar mësimet në këtë shkollë vitin e kaluar dhe nuk kishte histori kriminale.
Një nga viktimat është identifikuar nga familjarët e saj si Jean Kuczka, 61 vjeçare, arsimtare e shëndetësisë.
Sipas të dhënave të organizatave arsimore në SHBA, gjatë këtij viti janë regjistruar të paktën 35 të shtëna në shkolla.