Tre të vrarë nga të shtënat me armë në Roterdam

Një person i armatosur vrau tre njerëz në një klasë të një spitali universitar dhe një shtëpi aty pranë të enjten në qytetin holandez të Roterdamit.

I dyshuari, një student 32-vjeçar, vrau një grua 39-vjeçare që jetonte në lagjen e tij dhe plagosi rëndë vajzën e saj 14-vjeçare. Sipas policisë holandeze, vajza më vonë vdiq në spital.

I dyshuari më pas i vuri zjarrin shtëpisë së tyre përpara se të shkonte në Qendrën Mjekësore Universitare Erasmus, ku qëlloi për vdekje një mësuese 46-vjeçare brenda një klase. Ai shkaktoi një zjarr edhe në spital pas sulmit vdekjeprurës me armë.

Emrat e viktimave dhe të dyshuarit nuk janë bërë të ditur nga policia.

Studentët, personeli dhe pacientët u udhëzuan nga policia që të dilnin me vrap nga ndërtesa e spitalit. Ata që nuk ishin në gjendje të largoheshin, u barrikaduan në dhomat e tyre dhe vendosën pankarta në dritaret e tyre që të tregonin vendndodhjen e tyre.

I dyshuari, i cili thuhet se ishte student në Universitetin Erasmus dhe njihej nga forcat holandeze të zbatimit të ligjit për përfshirje në incidente të mëparshme, u arrestua jashtë spitalit.

“Në vitin 2021, ai u dënua për abuzim me kafshët”, tha Hugo Hillenaar, kryeprokurori i Roterdamit.

Ende nuk dihen motivet e këtij sulmi me armë, por mediat holandeze njoftojnë se i dyshuari po bashkëpunon me policinë.

Disa shpërthime janë raportuar rreth qytetit të Roterdamit dhe kanë qenë të lidhura me bandat rivale të drogës. Aktualisht nuk ka asnjë provë që tregon se ka lidhje mes këtyre dy incidenteve./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share