Tragjedia në Koçan! Durmishi: Përgjegjës kanë qenë institucionet që bëjnë kontrollin!

Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka informuar për kompetencat e saj në lëshimin e licencave për veprimtaritë hoteliere, përfshirë klubet nate dhe diskot, të cilat janë të detyruara të posedojnë një licencë valide për të funksionuar.

Ky proces përfshin paraqitjen e kërkesës për lëshimin e licencës dhe dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm, përfshirë regjistrimin në Regjistrin Qendror, pëlqimet e autoriteteve përkatëse dhe plotësimin e kushteve teknike.

Por sipas ministrit Besar Durmishi, ministria nuk ka kompetencë për të kryer inspektime ose mbikëqyrje të aktiviteteve hoteliere, ndërsa inspektorati shtetëror është përgjegjës për kontrollin e kushteve të sigurisë dhe higjienës. Licencat për aktivitetet hoteliere lëshohen me një afat vlefshmërie prej një viti dhe kërkojnë një proces të plotë verifikimi dhe miratimi nga autoritetet përkatëse, e jo vetëm nga ministria e ekonomisë, ka thënë ai.

BESAR DURMISHI – MINISTËR I EKONOMISË

“Bashkë me kërkesën, duhet të dorëzohet edhe dokumentacioni në vijim: 1. Vendimi për regjistrim në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut (origjinal, jo më i vjetër se 6 muaj); 2. Vendimi i këshillit komunal për përcaktimin e tarifës për kabare, klub-nate, disko-klub dhe disko-klub në hapësirë të hapur; 3. Aplikacioni për përmbushjen e kushteve minimale teknike për zhvillimin e veprimtarisë hoteliere (kopje); 4. Pëlqimi nga organi i administratës shtetërore kompetent për punët nga sfera e punëve të brendshme, që konfirmon përmbushjen e kushteve për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe sigurinë e trafikut (origjinal).”

Durmishi, mes tjerash, njoftoi se në mbledhjen e fundit, Qeveria ka ngarkuar Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës për përgatitjen e propozim-ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Veprimtarinë Hotelierike. Këto ndryshime do të mundësojnë që verifikimi i kushteve minimale teknike për punë të kryhet përpara lëshimit të licencës për punë. Ndryshe, për tragjedinë në Koçan, për shkak të licencës, në paraburgim është ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ish-sekretari shtetëror i kësaj ministrie, Razmena Çekiç, dhe disa punonjës administrativë të ministrisë së ekonomisë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share