Tre të mbyturit në Vilë Bashtovë të Kavajës u nxorrën nga deti me kajak nga një person që punon në plazh.
Dy dëshmitarë tregojnë se panë një burrë që kishte ngritur duart dhe kërkonte ndihmë, por asnjë nga pushuesit nuk u fut në det sepse kishin frikë nga dallgët e mëdha.
Dy dëshmitarë tregojnë më shumë për këtë tragjedi.
“Kishte dallgë, sapo erdhëm në mëngjes e pamë që kishte dallgë. Por futeshin. Fëmijët tentonin më shumë të hynin, edhe na erdhi e papritur se vetëm një moment pamë që një ndër personat që ishin aty afër ngriti dorën edhe në atë moment u turrëm. Isha aty afër, u turra, ishte një me kajak që i kishte këto personat e rrezikuar. U turrëm dhe i kapëm kush nga krahu e kush nga këmba, i nxorrëm në breg, i shtrimë. Menduam që ishte. Kur pamë që ishin 3 veta, ai babai ishte dhe i bëshëm, mezi e nxorrëm. E nxorrëm në breg dhe kush mundi pastaj filloi t’i bënte masazh”, thotë njeri prej tyre.
“Tragjedia edhe mund të evitohej. Në momentin që hapet plazhi unë mendoj se duhet të jetë ajo vija e kufirit deri ku mund të futet një notar i theshtë, ndërkohë që këtu nuk ekzistojnë. Pastaj nëse dhe më shpejt do kishte patur një ndihmë mjekësore do ishte evituar. Pashë që u sensibilizua e gjithë shoqëria që ishte aty, gjithë pushuesit, por ishte e kotë”, tregon një tjetër.
Megjithëse në bregdet i bënë masazh dhe frymëmarrje, ata humbën jetën. Babai kishte shkuar në plazh me dy fëmijët e tij nga Tirana.
Ata po laheshin të tre bashkë 30 metër larg bregut. Fillimisht u mbyt djali 13-vjeçar dhe babai u përpoq të shpëtonte 15-vjeçarin dhe në këtë përpjekje u mbyt edhe vetë.
/tvklan.al