Kreu i policisë në Korenë e Jugut tha se përgjigja e tyre në tragjedinë e Itaewon ishte “jo e duhur”. Kjo është deklarata e parë nga zyrtarët vendas që pranon se nuk kanë bërë mjaftueshëm. Në një kohë kur zërat për përgjegjësit po vijnë gjithnjë në rritje, Yoon Hee-keun tha se ndjente “përgjegjësi të pakufishme për sigurinë publike” për atë që ndodhi. Ai u zotua për një hetim të plotë. Ministri i Brendshëm Lee Sang-min kërkoi gjithashtu falje për ngjarjen tragjike që i mori jetën 156 personave dhe plagosi 152 të tjerë.
Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje. Turma të mëdha njerëzish kishin mbushur rrugët e Itaewon, një lagje popullore e jetës së natës në Seul, për të festuar Halloween, kur u shtypën me njëri-tjetrin.
Yoon tha se policia kishte marrë telefonata të shumta përpara se të ndodhte ngjarja, duke i njoftuar për seriozitetin e situatës, por përgjigja e tyre kishte munguar. Për BBC, Policia e Seulit tha se thirrja e parë në numrin e urgjencës së Koresë së Jugut erdhi në orën 18:34 me orën lokale, disa orë para fillimit të përplasjes vdekjeprurëse. Pas saj pati 10 thirrje të tjera, gjatë 3 orëve e gjysmë të ardhshme. Shefi i policisë tha se përgjigja e policisë ishte “zhgënjyese”.
Në një mbledhje të Asamblesë Kombëtare, Ministri i Brendshëm Lee Sang-min u kërkoi falje qytetarëve. “Është shumë e trishtueshme për mua si një baba që ka një djalë dhe një vajzë… është e vështirë të shprehet me fjalë se sa joreale është kjo situatë dhe është e vështirë të pranohet kjo situatë”, tha ai.
Komentet e Yoon dhe Lee vijnë në një kohë kur kërkesat e publikut për llogaridhënie po vijnë gjithnjë në rritje. Megjithatë, autoritetet e tjera kanë kërkuar ta portretizojnë atë si një aksident që nuk mund t’i fajësohet lehtë askujt.
Policia deklaroi më herët se këtë vit në gatishmëri kishin qenë më shumë oficerë për festimet e Halloween, sesa për festat para Covid-it.
Kryeministri Han Duck-soo në një konferencë për mediat e huaja tha se qeveria do të shqyrtojë çështjen e llogaridhënies vetëm pas një hetimi të plotë për shkaqet. Por nga ana tjetër, presidenti Yoon Suk-yeol deklaroi se kjo ngjarje zbuloi rëndësinë e menaxhimit të turmës.
“Siguria e njerëzve është e rëndësishme dhe ne duhet të marrim masa të plota,” tha ai, ndërsa sugjeroi përdorimin e dronëve dhe aftësive të tjera dixhitale për të menaxhuar turmat në të ardhmen.
Para ngjarjes, Presidenti Yoon po përballej me presion politik në rritje dhe rënie të popullaritetit. Mbrëmjen e së shtunës, policia tha se iu desh që një pjesë të burimeve t’i dërgonin diku tjetër në qytet, për të menaxhuar protestat kundër qeverisë./tvklan.al